Producenti Koloreto Cukali tha në “MCN Economy” se problemi themelor i filmit në Shqipëri është paraja.
Cukali tha se buxhetet e akorduara nga shteti janë qesharake dhe pa vizion qoftë afatgjatë, qoftë afatshkurtër.
Cukali tha se në shkolla dalin njerëz çyryk, duke theksuar që s’mund të bëjmë muze kur s’kemi ende kinema.
Në gjykimin tim problem thelbësor i filmit është paraja. Ndryshe nga piktura që mund të pikturosh në shtëpi, dy bojëra dhe penela mund t’i blesh, apo një roman që mund ta shkruash në kafe, kinemaja është një art që bëhet nga shumë njerëz, nga dhjetëra njerëz. Kolegët e dinë që një film i bërë mirë do donte 500 mijë euro e sipër. Çështja e kinemasë dhe artit nuk është thjesht të marrë disa njerëz në punë. T’i krijon produkt lokal. Njerëzit kanë uri për produkt lokal. Duhet investuar sot që të presim pas 10 vjetësh të shkëlqejnë. Një pjesë e mirë e njerëzve të kinemasë sot punojnë pjesërisht në kinema, dhe në televizion. Buxhetet e akorduara nga shteti janë qesharake, s’ka vizion as afatgjatë as afatshkurtër. Njerëzit ikin nga Shqipëria sepse këtu është varfëri shpirtërore. Efektet e investimit në kinema do zbukuronin edhe jetën e njerëzve. Në Shqipëri s’ka një park filmi, apo një studio. Kinostudio ka qenë një vend i shkëlqyer, është copëtuar, studio montazhi shumë të mira, gardëroba, rekuizita që s’dihet ku janë. Këta në qeveri nuk e vranë mendjen për atë pronë publike. Përrallat me parqe mua më acarojnë. Si mund të punojnë producentët kur s’kanë suport. Paratë s’duhet të vijnë vetëm nga qendrat e filmit, por duhet të mbështeten nga bashkitë. Me duket një gjë shumë e mirë ajo e tax rebate. Shqetësimi im është ky, a ka një vizion vërtet për këtë gjë. Dyshoj që ka një njeri në qeveri që ka një vizion për filmin. Shkolla e filmit ka nevojë për ristrukturim, në plan buxhetesh dhe vizioni. Kush jep mësim. A kemi një regjisor të huaj të suksesshëm që jep leksione. Ne nxjerrim njerëz çyryk nga shkolla. Nuk mund të them që s’duhen muzetë. S’mund të bëjmë muze, kur s’kemi kinema”.



