
Situata e dyqaneve në TIA nuk rresht së surprizuari. Pas disa muajve të nxehtë debatesh ku u përfshinë ambasada SHBA, Dhoma e Tregtise Amerikane, disa media vendase, përfshirë dhe redaksinë e TvT e cila investigoi mbi këtë çështje, sot ka patur disa zhvillime interesante. Shoqëria A&A Airport sh.p.k. ka humbur së fundmi çdo kontratë me TIA për hapësirat e dyqaneve në Aeroportin e Rinasit. Kjo shoqëri, e drejtuar nga Aliona Zeqiri, sipërmarrësja në mes të debatit, ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë masë sigurie për të garantuar vazhdimin e biznesit të saj në hapësirat publike të Aeroportit të Rinasit.
Sipas burimeve konfidenciale dhe të sigurta të TvT, shoqëria e Aliona Zeqirit ka humbur kontratat për zonat 3 dhe 4 (Bar Restorant dhe dyqan shitjeje), në total 4 hapësira, me kontrata që vijonin prej 2014-2015. Shoqëria A&A Airport sh.p.k. ka kërkuar "marrjen e masës së sigurimit të padisë duke pezulluar përmbushjen e afatit të përfundimit të Marrëveshjes së Konçesionit" si dhe "vazhdimin rregullisht të efekteve të Marrëveshjes". Vendimi për rrëzimin e kërkesës është shpallur sot më 08 Maj 2020 nga gjykatësi Ervin Pollozhani.
Firmat e reja me të cilat TIA ka kontraktuar këto shërbime janë "Sofie" dhe "Mulliri", si dhe flitet që mund të jetë e përfshirë dhe sipërmarrësja Dasha Frashëri e cila njihet për përfaqësinë e Swarovski.
Ky është një zhvillim interesant për TIA duke patur parasysh që TIA ishte shprehur kundra ndaj masës së sigurisë të arritur nga shoqëria ADFD. Kujtojmë që kundra rrugës ligjore të ndjekur nga ADFD reagoi dhe Ministria e Financave, zonja Kim si dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Ngelet për t'u parë nëse do të ketë reagim dhe kësaj rradhe...kuptohet në mbrojtje të klimës së investimeve.
P.S. Kujtojmë që dje në Tiranë është goditur me gura dhe drejtori gjerman i TIA, lajm i bërë publik sot.



