
Historia e mbushur me mister e zhdukjes së 34-vjeçarit Eglant Koçi në Tiranë vijon të jetë në qendër të hetimeve të Policisë së Shtetit.
Gazetari Besmir Pula, duke analizuar zhvillimet e kësaj ngjarjeje dhe vonesat në gjetjen e Koçit, deklaroi në emisionin “Fact Check” se kemi të bëjmë me një dështim të strukturave policore në zbardhjen e fatit të të riut.
Lidhur me ngjarjen, mësohet se së fundmi kontrollet janë shtrirë edhe në zonat malore të Tiranës.
Policia po vijon kërkimet në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, dy zona që, sipas hetimeve, frekuentoheshin nga Armand Shakaj, i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe zhdukjen e Eglant Koçit.
Teksa policia vijon punën për kapjen e Shakajt, i shpallur në kërkim, vëllai i të zhdukurit ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.
Në intervistën qe i kam marrwt, ai ka rrëfyer se familja ndodhet në një gjendje të rëndë emocionale dhe se e ka të vështirë të besojë se Armand Shakaj, mik i Eglant Koçit, mund të jetë i përfshirë në këtë ngjarje.
Sipas tij, mes familjes dhe Shakajt nuk ka pasur asnjëherë konflikte apo probleme; përkundrazi, ata njiheshin prej vitesh dhe kishin marrëdhënie normale.
Gazetari Besmir Pula deklaroi se ka qenë pranë banesës ku dyshohet se është mbajtur peng 34-vjeçari. Sipas tij, objekti ndodhet pranë shkollës “Ismail Qemali”.
Në katin e parë ndodhej biznesi i autorit të dyshuar, ndërsa në katin e dytë dyshohet se mund të jetë mbajtur peng Eglant Koçi.
Një nga elementët që më bëri përshtypje ishte fakti se dera e katit të dytë ishte e blinduar.
Gjithçka dukej e mbyllur dhe krijonte përshtypjen se aty fshihej diçka. Një tjetër element ishin kamerat e sigurisë.
Në derën ku dyshohet se është mbajtur peng Koçi, dukej sikur kamerat ishin këputur.
Gjithashtu, në vendngjarje duken shenja gishtërinjsh dhe njolla që dyshohet se mund të jenë gjaku.
Nëse nuk gjendet asnjë gjurmë e këtij personi, atëherë kemi një dështim total të strukturave policore.
Megjithatë, policia ka arritur të sigurojë disa prova dhe gjurmë, të cilat duket se janë lënë më shumë nga pakujdesia e autorit të dyshuar sesa nga aftësia hetimore për të zbardhur ngjarjen.
Nga grupi hetimor dyshohet se në qendër të konfliktit mund të ketë qenë një shumë prej rreth 700 mijë eurosh e lidhur me investime në kriptomonedha.
Megjithatë, vëllai i Eglant Koçit e ka hedhur poshtë këtë pistë.
Ai më tha se, po të kishin pasur 700 mijë euro, familja nuk do të jetonte në një shtëpi njëkatëshe dhe do të kishte kushte shumë më të mira jetese.



