Alba Dajlani, këngëtarja nga Pogradeci e ftuar në ‘Zgjohu me MCN’ ka treguar për rrugëtimin e saj në muzikë të cilin e ka nisur që në moshën 8 vjeçe dhe ka qenë pikërisht gjyshja ajo që i ka zbuluar talentin.
Ajo tregon për pjesëmarrjen e saj në disa nga kompeticionet muzikore duke nisur që nga ‘The voice kids’ kur ishte 11 vjeçe e deri te X Factor i këtij viti, të cilat i konsideron si eksperiencat e saj më të bukura dhe që do i vlejnë në këtë rrugëtim.
E orientuar drejt muzikës Jazz dhe Bossa Nova, Alba rrëfen pse ka zgjedhur këto rryma muzikore, ndërsa shprehet se prej 7 vitesh tashmë është prezentë edhe në muzikën live.

Është shumë e vështirë të qëndrosh larg komercit. Qëkur kam nisur të këndoj të gjithë miqtë dhe kolegët më thonin se duhet të shkosh andej nga shkon turma, por kur i do vërtete gjërat mund të ecësh. Njerëzit duhen edukuar dhe kur shoh që njerëzit vijnë dhe dëgjojnë jazz në live e mia kjo më kënaq.
Ka qenë gjyshja ime ajo që më ka zbuluar se unë dija të këndoja dhe më çon te festivali i fëmijëve në Pogradec kur isha 8 vjeçe. Fillova të këndoja aty dhe mora çmimin e tretë kështu ka nisur rrugëtimi im. Pastaj gjyshja më çon dhe te ‘the voice kids’ dhe nga atëherë nuk jam shkëputur më nga muzika. Kam qenë 11 vjeçe dhe ka qenë në nga eksperiencat e mia më të bukura.
Më pas hapi i radhës ka qenë ‘gjeniu i vogël’ dhe pjesëmarrja e fundit në kompeticione ka qenë ‘X Factor’ i cili do më vlejë shumë. Kur kam qenë e vogël në shkollë më thonin Alba ka zërin si burrë dhe kur shkova te ‘the voice kids’ vazhdoi e njëjta histori, por nuk më shqetësonte aspak.
Momentalisht punoj me Gent Rroshin dhe të punosh me të për mua është privilegj, komoditet. Kur kam qenë e vogël kam qenë e orientuar te rrok, më pëlqen metal, por më kam kaluar dhe te Jazz ku fillimisht si një lloj eksperimenti dhe tani ndjehem shumë mirë.



