Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve të nisura nga publikimi i skandalit me sanitaren e spitalit “Shefqet Ndroqi”, ka lëshuar edhe katër urdhër-arreste për infermierë që ushtrojnë detyrën në këtë spital.
Fillimisht u arrestua sanitarja e spitalit Covid 2, Tire Alldervishi, e cila akuzohet se i mori tetë milionë lekë të vjetra një pacienteje të prekur nga Covid, e cila më pas ndërroi jetë.
Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me këtë rast korrupsioni në spitale, ndërsa së fundmi ka lëshuar edhe urdhër-arrestet e tjera.
Dyshohet që katër infermierët për të cilët është lëshuar urdhër-arresti, të jenë përfshirë në skemën e korrupsionit, në bashkëpunim me Tire Alldervishi.
Në pranga kanë rënë infermieret Mira Bushi, Sheqerie Koçi dhe Sidorela Çela, si dhe sanitarja Rukije Hoxha. Arrestimet e kryera janë urdhëruar nga Prokuroria e Tiranës dhe firmosur nga prokurori i çështjes.
Policia i ka arrestuar punonjëset e spitalit në orarin e punës, teksa kanë qenë të veshura me bluzat e bardha, ndërsa janë shoqëruar drejt komisariatit për t’i marrë në pyetje.
Emrat e infermiereve dhe të sanitares janë zbuluar përmes telefonit të Tire Alldervishit, e cila komunikonte rregullisht me koleget e saj. Nga hetimet paraprake, mësohet se ato i kanë ndarë paratë bashkë.



