
Rikonstruksioni i hotel “Dajtit”, i cili duhej të kishte përfunduar në vitin 2018, me një kosto totale prej 16 milionë eurosh, është një proces larg transparencës. Banka e Shqipërisë, e cila ka dhënë tenderin për kompaninë që kryen rikonstruksionin, nuk vë në dispozicion asnjë informacion, duke e cilësuar sekret bankar profesional çdo informacion që i kërkohet në bazë të ligjit.
Në studion e MCN Economy, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se pas mungesës së kësaj transparence mund të ketë kosto të shtuara që kanë lidhje me vonesën e procesit të rikonstruksionit.
Nuk e kuptoj si mund të jetë sekret prokurimi i një godine. Një sekret aq i rreptë, saqë thyen urdhrat e komisionerit për të drejtën e informimit. Fakti që Komisioneri i të Drejtës së Informimit është praktikisht institucioni që njeh më mirë ligjet që kanë të bëjnë me të drejtën e informimit të qytetarit mendon se ky është një informacion që duhet të bëhet publik tregon se nga qëndron e vërteta. Ky informacion po mbahet sekret pa të drejtë nga Banka e Shqipërisë. Kriza financiare e vitit 2008 që përfshiu botën, nëse dha një mësim për të gjithë, ishte që bankat qendrore duhet të jenë transparente. Pasi vetëm në këtë mënyrë rrisin besimin te publiku. Ne kemi një bankë qendrore që bën tender dhe nuk jep asnjë lloj informacioni si i shpenzon paratë. Ne kemi një bankë qendrore që bën tendera dhe nuk jep asnjë informacion si i shpenzon paratë, që janë para publike. Është e paimagjinueshme sesi nuk dimë kush është kompania, kur mbaron rikonstruksioni. Vonesa ka kosto, jo vetëm fitim i munguar. Fondi 16 milionë euro pas këtyre vonesave ka shumë mundësi të jetë rritur dhe bërë shumë i lartë. Nuk e dimë deri tani sa kushton hotel Dajti dhe kur mbaron ky projekt.



