
Parlamenti i Afrikës së Jugut u përfshi sot në mëngjes nga flakët. Flakët u pikasën shpejt dhe zjarri u vu nën kontroll shpejt. Ish-kryebashkiakja e kryeqytetit Kejp Taun dhe ministre aktuale e punëve publike dhe infrastrukturës, Patricia de Lille, njoftoi dy orë pas ngjarjes se zjarri ishte neutralizuar.
Zjarrfikësit përdorën një vinç me ndihmën e përforcimeve për të shuar flakët, të cilat sipas zëdhënësit të shërbimeve të urgjencës fillimisht prekën çatinë e një prej godinave në kompleksin e Parlamentit.
Fillimisht pati frikë se zjarri mund të përhapej në sallat e lashta të pallatit, të cilat janë stolisur me tapiceri dhe perde.
Zona përreth kompleksit të Parlamentit, e cila përfshin tre godina, kufizohet me Katedralen e Shën Gjergjit, ku u mbajt dje funerali i Desmond Tutu.



