Ish-kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, e cila së fundmi la postin e saj, ka nisur një karrierë akademike në Universitetin e Harvardit.
Ajo do t’i përkushtohet studimit dhe mësimdhënies së tre temave të ndryshme: lidershipi, inteligjenca artificiale dhe ekstremizmi online.
Për çështjen e fundit, Ardern ka qenë prej kohësh e përkushtuar ndaj thirrjes Christchurch, e krijuar pas sulmeve terroriste që morën 50 jetë në dy xhami të Zelandës së Re në vitin 2019, për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste dhe terroriste në internet.
Ishte vetë Ardern ajo që njoftoi aktivitetin e ri akademik në profilin e saj në Instagram, e ndjekur nga 1.7 milionë njerëz, duke thënë se ishte “tepër e nderuar që ishte ftuar nga Universiteti i Harvardit” me tre detyra të ndryshme në semestrin e dytë të vitit.



