Puna për sheshin “Skënderbej” ka nisur sot me vendosjen e dy gurëve të parë, nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj. Në shenjë simbolike, dy gurët e parë, njëri nga Tropoja dhe tjetri nga Vlora, janë nisja e atij që Rama e cilësoi si “qilimi unikal i sheshit ‘Skënderbej’”.
“Ky shesh ka qenë gjithmonë pikë referimi për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, për shqiptarët kudo ku jetojnë. Projekti ka fituar, jo përmasë në sipëfaqje, por në përmbajtje pasi do të jetë një qillim unikal i thurur me gurë nga të gjitha trojet shqiptare, ku do të rrijnë pranë e pranë gurët e Malishevës me gurët e Konispolit, të Mirditës, Tropojës me gurët e Manastirit. Kjo e bën këtë shesh unikal në historinë moderne urbane”, tha kryeministri.
Rama shtoi se projekti fillestar është ndryshuar edhe sa i përket hapësirës së gjelbërt, që është shtuar.
“Nuk ka qenë në fillim një projekt me këtë përmasë të gjelbër që vjen edhe si rezultat i një reflektimi ku dosmosdoshmëria për të patur sa më shumë gjelbërim bëhet më e thekshme”, u shpreh Rama.



