Nga Dubai, ku po merr pjesë në panairin Expo 2020, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një rritje të çmimit të energjisë.
Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrianë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht. Orë e çast nga 52 euro vjet, deri në 550 euro aktualisht. Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot as nuk e shmangim dot.
Deklaratë e cila nxiti reagime të shumta çka detyroi kryeministrin të bënte një reagim të dytë.
E mirëkuptoj tërësisht stresin e madh të kësaj kohe, prandaj u them të gjithë atyre që pa dëgjuar e as lexuar reagojnë mbrapsht: Qeveria ka vendosur mburojë financiare mbi faturën e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël dhe prej disa muajsh kostoja rritet si pasojë e krizës, çmimi në faturë jo!
Pavarësisht garancisë së kryeministrit se çmimi i energjisë nuk do të rëndojë në xhepat e qytetarëve, pedagogu Azmi Stringa thotë se për shkak të zhvlerësimit të lekut, KESH dhe Osheee do të blejnë nga jashtë dhe për pasojë qytetarët duhet të përgatiten për kosto më të larta që do të paguhen nga xhepat e tyre.
Lidhur me nivelet rekord që ka kapur çmimi i karburantit në vendin tonë, Stringa e konsideron spekulative rritjen.
Për çmimin e naftës ka reaguar dhe presidenti Ilir Meta, i cili e cilëson babëzi këtë rritje, duke akuzuar qeverinë se po përdor luftën në Ukrainë si justifikim.



