
Demokracia ka ndaluar trendin rënës gjatë vitit 2018, sipas Indeksit të Demokracisë, hartuar nga Njësia e Inteligjencës e “The Economist”.
Indeksi analizon 167 vende në bazë të disa kritereve si: procesi elektoral dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, përfshirja në vendimmarrjen politike, kultura demokratike dhe liritë civile.
Raporti konstaton se bazuar në këta 5 elementë, vetëm 4.5% e njerëzve të botës jetojnë në demokraci të plotë.
Megjithatë, rezultati i përgjithshëm ka mbetur i qëndrueshëm në vitin 2018, për herë të parë në tre vjet. Vetëm 42 vende kanë shënuar rënie, krahasuar me 89 në vitin 2017. Në mënyrë inkurajuese, demokracia në 48 është përmirësuar gjatë vitit 2018.
Shqipëria nuk ka shënuar progres, duke qëndruar në të njëjtin nivel me vitin 2017, si vend me regjim hibrid. Vitet e fundit për Shqipërinë janë karakterizuar nga një trend rritës, i cili ka nisur pas vitit 2014.
Vitet e fundit, kërcënimet ndaj demokracisë në mbarë botën janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Pranvera arabe dështoi. Presidenti kinez ka “shtruar rrugën” për të sunduar sa të jetë gjallë. Populistët me tendenca autokratike kanë fituar zgjedhjet në Filipine, Brazil dhe Meksikë dhe kanë përmbysur institucionet demokratike në Hungari, Turqi dhe Poloni. Ndoshta për shkak se trendi është kaq i dukshëm - njerëzit e fuqishëm të politikës në vende të ndryshme shpesh kopjojnë taktikat e njëri-tjetrit apo tonet e zërit, votuesit nuk po i marrin për të mirëqenë. Edhe në demokracitë e përparuara siç janë Shtetet e Bashkuara, votuesit janë shumë të pakënaqur. Polarizimi në Amerikë ka çuar në zemërim, bllokim dhe mbylljen e tanishme të qeverisë. Sipas sondazheve të Gallup, nga janari deri në mesin e nëntorit 2018, përqindja e amerikanëve që miratojnë mënyrën se si Kongresi po e trajton punën e tij ka rënë mesatarisht me 18%, nga 40% që ishte në vitin 2000.
Pjesëmarrja në zgjedhjet afatmesme të vitit 2018 ishte më e larta në më shumë se 100 vjet. Disa pjesë të Evropës po vuajnë nga një sëmundje e demokracisë. Italia ka rënë nga vendi i 21-të në të 33-tin, pasi votuesit zgjodhën një koalicion populist që kërkon të anashkalojë institucionet demokratike dhe të kufizojë liritë civile të emigrantëve dhe romëve. Turqia shënoi rënie për të gjashtin vit radhazi pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan bëri ndryshimet kushtetuese që i shtuan kompetencat. Rusia shënon përkqësim për të dhjetin vit me radhë, pasi kandidatit kryesor të opozitës iu ndalua kandidimi në zgjedhjet presidenciale dhe Vladimir Putin vijoi shtypjen e lirive civile.
Raporti paralajmëron se e gjithë kjo mund të jetë një pauzë, dhe jo fundi i tkurrjes së demokracisë. Rritja globale e angazhimit, e kombinuar me një goditje të vazhdueshme ndaj lirive civile si liria e shprehjes, është një përzierje potencialisht e paqëndrueshme. Kjo mund të jetë një recetë për paqëndrueshmëri në vitin 2019.
Vendet më demokratike
Norvegjia - 9,87
Islanda - 9,58
Suedia - 9,39
Zelanda e Re - 9,26
Danimarka - 9,22
Kanadaja dhe Irlanda - 9,15
Finlanda - 9,14
Australia - 9,09



