
Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, duke komentuar marrëveshjen e arritur sot mes PD-së dhe Partisë së Lirisë, tha se është historike që dy forcat e mëdha të opozitës bëhen bashkë dhe i njohin njëra-tjetrës kapacitetet.
Në një lidhje skype në edicionin e lajmeve në MCN TV Lela tha se nuk do të ketë bashki për PL-në, pasi kjo e fundit ka pranuar kandidatët që do dalin nga primaret e PD, por shtoi se një kontroll në këshillat bashkiak nga partia e Metës është i mirëpritur.
Lela thotë se qëndrimi fundit i Escobar-it për Berishën tregon që vendimi i Blinkenit për kryedemokratin ka qenë politik. Sipas Lelës, fakti që Escobar kërkoi nga Prokuroria shqiptare hetime ndaj Berishës, tregon që nuk ka prova kundër këtij të fundit.
I pyetur, prisni të bëni historinë me Metën, Lela u përgjigj:
Historike është fakti që dy forcat e mëdha të opozitës bëhen bashkë dhe i njohin njëra-tjetrës kapacitetet. Meta ka pranuar primaret, duke ia njohur PD-së këtë tagër, ndërkohë që është fokusuar te këshillat bashkiak. Kjo është historike si në kuptimin politik por edhe shoqëror, pasi ka nevojë për një bashkim të fashave, elementeve, partive opozitare për të gjitha përballjet. Çdo koalicion ka pikëpyetjet e veta dhe pikëpyetjet bëhen përgjigje me kalimin e kohës, kur të mund të provohen elektoralisht. Meta dhe Berisha kanë një histori bashkëpunimi, ajo e 2009, që arriti ta mbante vendit në stabilitetin politik. Tani jemi përtej stabilitetit, në kuptimin që Shqipëria ka rreziqe të reja, dhe faktorët opozitare të hallakatur nuk ndihmojnë as përballjen, as ecurinë ne normalitet. Është një nevojë politike që u materializua sot”.
Duke folur mbi paktin Meta-Berisha, Lela u shpreh:
Marrëveshja është e qartë. Nuk do të ketë bashki për PL. Kandidatët do të jenë të gjithë nga primaret e PD-së. Mendoj që ajo është ajo çka kjo marrëveshje sjell të re. Kandidatët për kryetar i takojnë PD-së. PL do ketë fushë, fokus të veprimit elektoral, këshillat bashkiak, anëtarët e këshillave bashkiak. Nuk do ketë probleme. Marrëveshja e thotë qartë, PD ka kandidatët për kryetar bashkish. Është një gjë e hekurosur etnikisht, sepse ka një marrëveshje para kamerave. Kjo ndihmon në forcimin e aksionit politik të përbashkët dhe një përballje më të mirë me kundërshtarin. Është i mirëpritur ky kontroll. Nuk është rreziku te kontrolli, por te mungesa e kontrollit. Qeveria i ka zhbërë kontrollet dhe janë të gjitha pushtetet në një dorë. Edhe një aleat si PL është e mirëseardhur ta bëjë kontrollin. Shqipëria vuan nga mungesa e kontrollit dhe kontrolli në një dorë. Nuk ka arsye për të patur fërkime mes dy forcave politike”.
Teksa u ndal te kandidatura e Belind Këlliçit, i cili zyrtarisht u bë pjesë e primareve, Lela tha se ai është një politikan i ri, pa të meta dhe pa akuza për korrupsion apo afera të tjera.
Përderisa opozita ka hapur garën brenda vetes, do t’i luajë të gjitha kartat për t’i përforcuar këto shanset. Këlliçi është i pari, në ditët në vijim do shikoni kandidatura të tjera në frontin demokrat. Këlliçi është politikan i ri, pa rëndesa korruptive apo të natyrave të tjera. Mund të thuhet lehtësisht që Këlliçi është një investiturë e mirë e PD-së. z.Këlliçi është një fillim i mbarë. Nuk mund ta akuzosh z.Këlliçi për asgjë, ndërkohë që e kundërta mund të thuhet për palën tjetër. Opozita ka fatin e madh të pastërtisë së figurës, të një politikani të ri që s’ka të meta, s’ka hija. Ka sondime, ka anketime të opinionit publik, për kandidatët, çështjet dhe me radhë. Nëse ka një leksion politik dhe të hapjes, të garës së ndershme, është kjo e primareve, është histori suksesi. Procesi i Rithemelimit është përmbyllur sepse e ka të gjithë strukturën, hierarkinë të ngritur. Së fundmi janë ngritur edhe departamentet. Ka hapje, ka ofertë të re”.
Lidhur me qëndrimin e Escobar për kryedemokratin Berisha, Lela tha:
Nuk ka ndonjë të re në të gjithë këtë që tha Escobari. E vetmja e re është që Berisha duhet hetuar dhe është ajo që z.Berisha ka kërkuar. Bashkohen në këtë pikë, që duhen fakte dhe sipas hetimeve merren vendime. Kjo tregon që ka vendim politik ai i Blinken-it sepse nuk je fajtor pa u provuar si i tillë. Z.Escobar duket se tani po kërkon prova dhe tani po ia kërkon hetimit. Është zhvillim pozitiv dhe është të pranuarit të mos pasjes së fakteve. Se nëse ke fakte dhe ia kërkon prokurorisë shqiptare, do të thotë që nuk i ke”.



