Regjisori Kastriot Çipi deklaroi në emisionin “Arnautiastan” se Kina s’do ishte bërë kurrë kjo që është nëse punët s’do ishin transferuar nga Perëndimi në Kinë. Regjisori u shpreh se formati kinez është më i ndyri i kapitalizmit, por suksesi i Pekinit qëndron në transferimin e investimeve dhe industrisë europiane dhe të Amerikës së Veriut në këtë vend. Çipi tha se Kina nuk do të fitonte nëse do të ishte ende e njëjta periudhë si përpara globalizmit. “Bota mund të mos jetë globale fare mirë, sepse bota ka nevojë për qeveri dhe udhëheqës që shohin në radhë të parë interesat e kombit të tyre. Kina s’do ishte bërë kurrë kjo që është bërë nëse punët s’do ishin transferuar nga Perëndimi në Kinë. Kapitalizmi në Kinë është formati më i ndyrë i kapitalizmit. Suksesi kinez s’është ky. Suksesi kinez është transferimi i investimeve të industrisë europiane dhe të Amerikës së Veriut në Kinë. Deindustralizimi i Amerikës dhe Europës së Veriut. Marrja e krahut të punës së lirë në Kinë për ta kthyer produktin e përfunduar në Europë dhe Amerikën e Veriut. Kina s’do ishte kjo që është nëse Apple, nuk do përfitonte taksa të lira si komani amerikane, ndërkohë që prodhon lirë në Kinë dhe shet në Amerikë. Nuk do fitonte Kina, nëse do kishte qenë periudha para globalizmit, regjimi doganor, politikat e proteksionizmit, nuk do kishte ndodhur transferimi i teknologjisë, s’do kishte pasur papunësi në Europë dhe s’do ishte rëndur buxheti i çdo qeverie perëndimore. Italia s’ka rritje të pagës reale nga viti 1990 deri më sot. Sot në Itali ke një brez njerëzish që s’e dinë a do marrin pension dhe që s’blejnë dot shtëpi”, u shpreh Çipi.



