Shqipëria u përball me një krizë të madhe energjitike në vitin 2002. Ndërprerja e energjisë elektrike, oraret e kufizuara dhe faturat e larta për importe të energjisë ishin normale në këtë periudhë. E gjendur në një udhëkryq, qeveria shqiptare kërkon ndihmë nga Banka Botërore për t’i asistuar në skenarët e zgjidhjes së problemeve me energjinë elektrike. E varur 100% nga energjia e prodhuar nga uji, 5 kompani që kontraktoi Banka Botërore për të dhënë një zgjidhje afatgjatë për sigurinë energjitike të vendit tone, rekomanduan ndërtimin e një termocentrali në afërsi të portit të Vlorës. Termocentrali do të punonte me naftë por teknologjia e tij mund të kthehej edhe me gaz . Kapaciteti i prodhimit ishte 97 megavat orë, që në ato vite zinte 20% të nevojës ditore për konsum energjie, ndërsa sot përbën 15% të konsumit. E gjithë vepra nisi me një vlerë 113 milion dollarë dhe përfundoi me një faturë që pagoi Korporata Elektroenergjitike Shqiptare prej 130 milion dollarësh. Problemi kryesor me termocentralin e Vlorës nuk ishte as rritja me plot 17 milion dollarë e vlerës së financimit dhe as vonesa në nisjen e ndërtimit të tij, dy vjet pasi kriza energjtike kishte përfunduar. Vepra miliona dollarë u dorëzua në vitin 2011 por nuk punoi asnjë ditë. Kompania që kishte kryer punimet e kishte dorëzuar me një defekt në sistemin e ftohjes i cili solli debate të gjata mes firmës dhe KESH se kush e kishte përgjegjësinë, firma që nuk e kishte dorëzuar objektin në gjendje pune apo institucioni që kishte firmosur marrjen në dorëzim. “Tec-i i Vlorës është një projekt i lashtë. Në 2005-n ishte zbatuar nga qeveria Nano dhe nuk kishte përfunduar. U përfundua nga kompania që kishte fituar tenderin dhe në fund doli me defect sistemi i ftohjes.” thotë Suzana Guxholli, rektore e Universitetit Barleti. Procedura të gjata për zgjidhjen e problemit përfshinë ndër vite Korporatën Elektroenergjitike dhe derisa zgjidhja teknike bashkë me koston e rregullimit të impiantit të ftohjes dhe tubacionit të shkarkimit u gjet, tashmë kishte një tjetër dilemë: a i leverdiste Shqipërisë të prodhonte energji me naftë kur çmimi i saj në bursa kishte shkuar afërsisht 80 dollarë për fuçi, ndërsa fizibiliteti i projektit ishte bërë me atë të vitit 2002, kur nafta në tregjet botërore ishte në minimumet historike 20 dollarë për fuçi. Termocentrali nuk ishte fizibël: më lirë mund ta blije energjinë në bursë se sa ta prodhoje nga Teci. “Situata energjitike ndryshoi, çmimi i naftës u ul përsëri dhe ishte më e lirë të prodhoje energji ujore ose të nxisje këtë lloj prodhimi dhe ta blije se sa të përdorje Tec-in e Vlorës.” sqaron Suzana Guxholli, rektore e Universitetit Barleti. Kur TAP u përzgjodh projekti fitues që do të transmetonte gazin natyror nga fushat e Shah Denizit drejt Europës vepra e parë që shpëtonte ishte Tec-i i Vlorës dhe 130 milion dollarët e investuara në këtë vepër të dhëna kredi nga Banka Botërore dhe të paguara pjesërisht nga KESH dhe pjesërisht nga buxheti i shtetit. Që nga ajo kohë e deri më sot Termocentrali i Vlorës vazhdon t’i kushtojë miliona euro KESH për konservimin e tij dhe të qëndrojë jo funksional. Në fund të vitit 2018 qeveria shqiptare hap një tender për të dhënë me koncesion ndërtimin e një tubacioni 46 kilometra nga pika dalëse e TAP në Fier deri te Tec-i në Vlorë, kthimin e teknologjisë me gaz dhe rregullimin e impiantit të ftohjes. Këto investime do të kushtonin 60 milion dollarë sipas dokumentave të studimit të fizibilitetit të dorëzuara në procedurën e prokurimit dhe në këmbim kompania do të merrte të drejtat e operimit për 35 vjet të termocentralit që kushtoi 130 milion euro. “Teci duhet të ishte një vlerë e shtuar në ekonomi dhe i referohem masterplanit të gazit i cili parashikon disa masa për mënyrën se si do të përdoreshin resurset me hapjen e disa pikave në të gjithë Shqipërinë.” thotë Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie. Tenderi u anullua por sërish asnjë tentativë nuk u bë gjithë këto vite për të rregulluar sistemin e ftohjes në mënyrë që vepra të ishte funksionale për t’i shërbyer sigurisë energjitike të vendit. Nëse Tec-i do të ishte funksional, edhe pa kthyer teknologjinë e tij me gaz dhe pa patur nevojën për tubacionin e lidhjes me TAP, do të kishte ulur me 500 milion dollarë faturën e importeve të energjisë në vitin 2022. Deri më sot Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë nga detyrimet e marra përsipër në strategjinë e gazit të vitit 2016 e cila kushtoi 2.5 milion dollarë dhe as angazhimet në marrëveshjen që ka me konsorciumin Trans Adriatic Pipeline. Ndërtimi i tubacionit të gazit që do të lidhte Fierin me Vlorën ishte një nga investimet e para që do të bëheshin në infrastrukturën e gazit dhe kusht që TAP të investonte në pikën dalëse të Fierit. Shqipëria duhet të ndërtonte tubacionin brenda dy vjetëve, por edhe pse ky afat nuk është përmbushur, TAP nisi punimet dhe kjo nyjë ndërlidhese me një tubacion të brendshëm është drejt përfundimit. “Nuk mund ta zhvillonte Tec-in i vetëm shteti, si për nga mënyra si bëhet biznes në Shqipëri dhe nga problemet financiare që ka KESH në aspektin e likuiditetit.” thotë Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie. “Kemi një aset shtetëror që duhet dhe si rregullator në kohën e mungesës së energjisë, ka gazin që tashmë e prodhon energjinë me çmim të lirë dhe tani thotë do ta jap me koncesion. Është e pashpjegueshme, është një formulë që nuk ka asnjë argument ekonomik, financiar apo politik.” sqaron Suzana Guxholli, rektore e Universitetit Barleti. Tashmë strategjitë e zhvillimit të gazit për Shqipërinë kanë ndryshuar: Vendi ynë nuk do të interesohet më për gazin natyror që do të vijë nga Azerbajxhani por gazin e lëngëshëm që do të sjellë një kompani amerikane. Strategjia e vetme që nuk ka ndryshuar është dhënia me koncesion e Tec-it të Vlorës. KESH është në negociata me kompaninë Excelerate Energy për t’i dhënë të drejtën e operimit të termocentralit. Nga investimi me vlerë 130 milion dollarë , vendi ynë duket se do të marrë qindarka, vetëm 2% të prodhimit vjetor të tij. Teknologjia e tij mundëson rritjen e kapacitetit të prodhimit deri në 300 megavat orë, sasi që do të plotësonte 35% të nevojave të vendit për konsum të energjisë, por këtë përfitim duket se do ta ketë kompania amerikane. “Është bërë një studim i detajuar për vendosjen në punë të Termocentralit dhe kostot ishin të përballueshme, por qasja ishte që Tec-i doli në ankand. Nuk kemi patur asnjëherë vizionin për të vënë në punë atë vepër. Excelerate Energy nëse kishte dëshirë dhe vullnet për të investuar në një vepër të tillë, mund ta bënte në Fier, në Korçë, në një zonë tjetër, por kërkon diçka të gatshme të cilën shqiptarët e kanë paguar 130 milion dollarë”. thotë Klodian Gradeci, ekspert për çështjet e hidrokarbureve dhe energjisë. Amerikanët sollën në Shqipëri 2 anije të cilat kushtonin 20 milion dollarë për t’i dhënë me qira për 45 milion dollarë për dy vjet. Anijet bashkë me koston e operimit dhe lëndës djegëse që do të vihen në punë do t’i kushtojnë korporatës së energjisë 336 milion euro për periudhën 24 mujore. Kapaciteti i tyre është 114 mega vat orë, aq sa është fuia e termocentralit sot dhe dy herë më pak se rritja e kapacitetit që mendohet t’i bëhet Tecit në të ardhmen. Ndotja nga Teci është e ulët pasi gazi emeton më pak substanca të dëmshme se mazuti me të cilin punojnë anijet, por edhe pse rregullimi i Tecit do të na kushtonte më lirë dhe më mirë, si përherë dhe në këtë krizë zgjodhëm varinatin më të kushtueshëm në mjedis dhe financa. Po marrim dy anije me çmim më të kripur se rregullimi i Tec-it dhe po japim Tec-in.



