Ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho, thotë se opozita e ka humbur besimin te qytetarët dhe nuk ia del dot të rrëzojë qeverinë. Në studion e MCN Live, Spaho tha se për këtë arsye, as skandali i SHISH nuk ka potencialin për të sjellë largimin e qeverisë “Rama”.
Do të ishte mirë të ngrihej një komision hetimor: a i ka kaluar filtrat e sigurisë Vlora Hyseni? Nëse ata i disponojnë të dhënat duhet të kërkojnë një hetim ku të qartësohen përgjegjësitë e hallkave që e kanë emëruar. Që të bjerë qeveria duhet të sigurohen dy kushte: maxhoranca të humbë mbështetjen në Parlament, që ka pak gjasa të ndodhë. Së dyti, nëse opozita është në gjendje që këtë ngjarje ta kthejë në përfitimin e vet. Kauzë nuk duhet të jetë kjo e SHISH, janë plot gjëra që janë mbledhur. Qeveria kurrë nuk ka për të dhënë dorëheqje. Nëse nuk detyrohet të dorëhiqet, kurrë nuk ka për t’u dorëhequr vetë. Opozita nuk e disponon këtë forcë. Berisha nuk guxon as t’i afrohet protestës. Aftësia e opozitës për të tërhequr njerëz ka rënë shumë. Qeveria duhej të ishte tërhequr. Qeveria nuk tërhiqet vetë. Atë e detyrojnë qytetarët. Nuk mund të vish në krye të qeverisjes, kur nuk zbaton statutin. E kam fjalën, kur kryetari i PD nuk jep dorëheqjen, pse duhet të presim?
Spaho u pyet edhe në lidhje me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, që u prezantuan sot nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se janë të domosdoshme.
Në kodet tona ka nevojë shumë për ndërhyrje. Çështja e arrestit me burg, pa u provuar fajësia jote, kjo nuk është e drejtë. Po t’u referohesh praktikave në vende të tjera, vetëm në Shqipëri gjen që të kalbin në burg pastaj gjejnë provat. Ne kemi numrin më të lartë të paraburgimeve. Është e domosdoshme të ketë ndërhyrje të tilla në kod.
Më pëlqeu te ndryshimet që u prezantua, që prokuroria do të ketë për detyrë që të mbledhë prova që i shërbejnë akuza, por edhe prova që janë në favor të të akuzuarit. Me ligjin aktual i mbetet avokatit të bëhet copash për të gjetur prova në favor në të akuzuarit. Nëse do të bëhen ndryshime të tilla, janë të mirëpritura.
Fakti që ne e mbajmë ish-presidentin e republikës në burg nuk është normal. Kështu mund të ketë edhe shembuj rastesh të tilla. Kjo lloj praktike që ndjekim ne duhet të marrë fund njëherë e mirë.



