Në një konferencë për media këtë të premte, kryeministri Rama tha se kërkesa e SPAK për deputeten Balluku nuk i përmbushte as kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë.
Më tej Rama tha se nuk ndodhemi përballë një çështjeje korrupsioni.
Kërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet as kushtet më minimale për u marrë në konsideratë, ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo t’i dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi apo do pengojë aktivitetin e pavarur të drejtësisë, është përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ato ingredientë që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë me të cilat ne po ecim në procesin e negociatave të frenohen.
Dua t’i siguroj të gjithë nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit të plotë në BE. Nuk ka asnjë diskutim lidhur me vullnetin tonë për të vazhduar në rrugën që ne kemi hapur në pavarësinë e drejtësisë dhe në luftën reale kundër korrupsionit, ashtu siç nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Vetëm prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion, jemi përballë një çështje në hetim e cila mund të hetohet lirisht pa më të voglën pengesë. Unë e inkurajoj prokurorinë të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit.
Është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, nuk është sekret. Sikundër, e dini shumica e dinë, pakica bëjnë sikur se dinë. Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve. Një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shoh partnerët në sy dhe të më shohin në sy, në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shoh njeri nga lart poshtë dhe as të lejojë njeri të më shoh nga lart poshtë.



