
Shqipëria rezulton vendi me pagën minimale më të ulët në Europë. Një raport i Eurostat analizon pagën minimale në vendet anëtare të BE-së dhe ato që aspirojnë anëtarësimin, duke iu referuar të dhënave të tremujorit të dytë.
Në kategorinë e vendeve kandidate potenciale, Shqipëria ka pagën më të ulët minimale.
“Të gjithë vendet kandidate dhe kandidate potenciale me pagë minimale kombëtare i përkasin grupit 1, me nivelet e pagës minimale që variojnë nga 243 euro në Shqipëri në 393 euro në Turqi”, thuhet në raport.
Në krahasim me vendet e rajonit, paga minimale në Shqipëri, 210 euro, është më e ulët se në Serbi (344 euro), Mal të Zi (331 euro) dhe në Maqedoni, (282 euro).
Paga minimale në Shqipëri është rritur që nga 1 janari, në 30 mijë lekë të vjetra (240 euro).
Eurostat i ndan vendet e BE-së me paga minimale në tre grupe kryesore, bazuar në nivelet e tyre në euro.
Grupi 1, me pagë minimale kombëtare nën 700 euro në muaj. Ky grup përfshin: Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë, Letoninë, Kroacinë, Çekinë, Estoninë, Poloninë, Sllovakinë dhe Lituaninë. Pagat e tyre minimale kombëtare variojnë nga 332 euro në Bullgari në 642 euro në Lituani.
Grupi 2, me pagë minimale kombëtare ndërmjet 700 euro, por më e ulët se 1 500 euro në muaj. Ky grup përfshin: Greqinë, Portugalinë, Maltën, Slloveninë dhe Spanjën. Pagat e tyre minimale kombëtare variojnë nga 758 euro në Greqi në 1 108 euro në Spanjë.
Grupi 3, me pagë minimale kombëtare mbi 1 500 euro në muaj. Ky grup përfshin: Francën, Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, Irlandën dhe Luksemburgun. Pagat e tyre minimale kombëtare variojnë nga 1 555 euro në Francë, në 2 202 euro në Luksemburg.



