Kremlini pretendoi të shtunën se kishte dëbuar forcat ukrainase nga rajoni Kursk i Rusisë pas muajsh luftimesh të ashpra dhe për herë të parë pranoi praninë e trupave të Koresë së Veriut që ndihmonin forcat e saj në zonë.
Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, i raportoi Presidentit rus Vladimir Putin “çlirimin” e plotë të rajonit të Kurskut të shtunën, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore ruse Tass.

Qeveria ukrainase se mohoi që Kursk ishte rimarrë, duke thënë se ndërsa forcat e Kievit ishin në një pozicion “të vështirë”, ato i kishin rezistuar me sukses rrethimit dhe kishin shtyrë disa sulme tokësore ruse.
Kremlini shprehu mirënjohje edhe për trupat e Koresë së Veriut të dislokuara në rajon për të ndihmuar përpjekjet e Rusisë, ku Gerasimov përshëndeti “fortësinë dhe heroizmin” e tyre.
Kjo është hera e parë që Kremlini konfirmon praninë e trupave të Koresë së Veriut, të cilat mund të arrijnë deri në 11.000, sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe Koresë së Jugut.
“Dua të theksoj posaçërisht pjesëmarrjen e ushtarakëve të Republikës Popullore Demokratike të Koresë në çlirimin e zonave kufitare të Rajonit të Kurskut, të cilët në përputhje me Traktatin për Partneritetin Gjithëpërfshirës Strategjik midis vendeve tona dhanë ndihmë të konsiderueshme në shtypjen e grupit luftarak të ushtrisë ukrainase që kishte nisur një inkursion”, tha Gerasimov.
Forcat ukrainase filluan sulmin e tyre në Kursk në gusht 2024, duke shpresuar të detyrojnë Kremlinin të ridrejtojë trupat e tij nga luftimet e ashpra në rajonin e Sumy-t, si dhe në rajonin e Donbasit, i cili është pushtuar që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në fillim të vitit 2022.



