Nën akuzën e tentativës për të kontrabanduar qindra flutura të vjedhura dhe bimë endemike në një park të kafshëve të egra në Sri Lanka, një mjek italian 68-vjeçar nga Modena, Luigi Ferrari dhe djali i tij 20-vjeçar kanë përfunduar në prangat e policisë.
Babë e bir ndodhen në arrest shtëpie, me pasaporta të konfiskuara dhe për rrjedhojë nuk mund të largohen nga ishulli, në pritje të gjyqit. Arrestimi daton në 9 maj, por raportohet vetëm këto ditë nga mediat italiane.
Babë e bir ishin me pushime në Sri Lanka. Ferrari, një kirurg i mirënjohur ortoped i specializuar veçanërisht në trajtimin e hallux valgus, i cili punon në klinika të ndryshme private midis provincave të Reggio Emilia dhe Modena, është një fans dhe ekspert i madh i fluturave, aq sa është anëtar i një shoqate entomologjike. Gjatë një ekskursioni në parkun natyror Yala ata kishin kapur shumë insekte, në veçanti flutura.
Por pasi u larguan nga parku, ata u ndaluan nga oficerët e zyrës së ruajtjes së kafshëve të egra Katagamuwa për një kontroll.
Ferrari dhe djali i tij ishin shqetësuar dhe rojtaret u bënë dyshues duke kontrolluar çantat e tyre. Brenda u gjetën 285 insekte të mbyllura brenda dhjetëra kavanozëve, shisheve të qelqit, si dhe gjethe të shumta të bimëve vendase.
Ata u arrestuan për vjedhje dhe kontrabandë. Sipas hetuesve, qëllimi i tyre ishte që t’i çonin në Itali.
Sipas informacioneve të mbledhura, të dy kishin kaluar një muaj në qeli, por tani u është caktuar arrest shtëpie me ndalim absolut për t’u larguar nga Sri Lanka në pritje të seancës që do të mbahet në ditët në vijim.



