Ambientalisti Sazan Guri foli në “MCN Live” mbi shqetësimin e banorëve në Lezhë në lidhje me fabrikën e pezulluar në pronësi të Alban Zusit e cila vazhdon aktivitetin, ku përpunohen mbetje shtazore që lëshojnë një aromë të rëndë në zonë. Guri thekson se ndikimi te shëndeti i banorëve është i drejtpërdrejtë dhe mund të çojë edhe në sëmundje kanceroze. Sipas tij fabrika s’ka distancë nga lagjet, nuk është rrethur me një brez pyjor, dhe nuk ka teknologjinë e duhur moderne.
“Aktiviteti aty në Lezhë është shumë vjeçar. Produkti i përpunuar s’është diçka e freskët, por përpunim i asaj pjese që me plot gojë mund t’i quash kërma. Ai përpunon mbetje shtazore, dhe përfiton një kompani për eksport. Ai me pak fjalë riciklon. Banori nuk gabon. Po të jetë një dhe dy mund të ketë ndonjë xhelozi, por nëse është një komunitet i tërë, tregon që me shumicë mendimi, banorët nuk gabojnë. Aty ka dy gabime të mëdha, që ai duhet t’i kryente: S’ka distancë nga lagjet. S’është fabrikë çokollate, por përpunim kërmash. Nuk e ka të rrethuar me një brez të madh pyjor. Nuk e di nëse e ka futur impiantin në lojë. Dy impiante, një filtër të madh ajri. Përndryshe banorët s’do ndienin aromë, erë. Po pati erë ajri dhe ngjyrë uji, kemi të bëjmë me ndotje. Teknologji të tilla ose duhet të jenë moderne, ose ik në një pyll vetëm dhe jeto me ujqërit, me kafshët e pyllit. Unë mendoj që kompania s’ka bashkëpunuar që të ketë bërë teknologjinë e propozuar. Po ta kishte bërë s’do vinte erë. Gjoba është më e vogël se fitimi, edhe s’e ka problem, e përballon. Gjoba më e madhe është qëndrimi komunitar, gjoba morale. S’ndodh kjo në një vend të BE-së. Pas 2005-ës ata s’e kuptojnë më ujë dhe ajër me ngjyrë. Jemi jashtëzakonisht keq. Jo që ka ndikim te shëndeti i banorëve, por mund të çojë edhe në sëmundje kanceroze”.



