Gerta Meta, kryetare e Koalicionit të Vëzhguesve Vendore tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se komisioni për Reformën Zgjedhore dështoi me vullnetin dhe marrëveshjen e heshtur që palët politike kanë bërë me njëra-tjetrën.
Meta tha se nga artikulimet kuptojmë se tanimë do të kemi një grup pune me 6 anëtarë, tre nga mazhoranca dhe tre nga opozita.
Tashmë është një problematik dhe ngërç në vijim. Ju e cekët që sot mbaron mandati. Në dy vitet e fundit ne kemi parë që vetëm kjo vendimmarrje ka qenë, duke shtyrë dhe spostuar në kohë mandatin e këtij komisioni. Nuk kemi parë asnjë lloj produkti që t’u shërbejë pritshmërive që kanë jo vetëm partitë, por votuesit shqiptarë, për të parë a do të ndryshojë Kodi Zgjedhore, dhe a do të realizohen ato premtime. Produkti i dakordësuar është një premtim që ende s’është mbajtur, dhe ka gjasa që të mos mbahet. Dita e sotme dhe gjithë fluksi dhe reagimi politik edhe në Parlament ka qenë një qasje, që është e pakuptueshme dhe s’ka asnjë lloj transparence. Anëtarët e komisionit s’e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të përmbushur premtimin e pambajtur. Jemi të gjithë dëshmitarë që nga pranvera e vitit që vjen do të jemi në zgjedhjet e radhës, dhe kemi pikëpyetje të mëdha, që s’vijnë nga ne si qytetarë dhe votuesit, por dilema më e madhe është sjellja jo serioze dhe mungesa e seriozitetit dhe vullnetit të palëve. Disa piketa si votimi i emigrantëve, depolitizmi i administratës zgjedhore, transparenca e financimit të partive, përdorimit të administratës shtetërore, shfrytëzimi i burimeve njerëzore gjatë fushatave, shit-blerja e votës, korrupsioni zgjedhor, janë një seri pikëpyetjesh, që ne ende s’kemi marrë qartazi ndarjen e kampeve politike. Mbetemi vetëm në kuadrin e artikulimeve politike, dhe aspak teknike. Nëse do kemi vullnetin dhe dakordësinë politike, patjetër që në globin ku ne jetojmë nuk ka asgjë të pamundur, aq më tepër në territorin e politikës ku ne jemi mësuar tashmë dhe e dimë që ata kur duan brenda natës e gjejnë zgjidhjen. Ne kemi disa fraksione qoftë brenda PD, qoftë reagime nga parti të tjera të opozitës, që s’kanë rënë dakord si do jetë jehona e hapjes së listave, pavarësisht se ajo kërkohet në parim dhe nga ana institucionale partitë e kanë deklaruar se jemi dakord se do t’i hapim listat.
Ne dimë vetëm që mbaroi mandati i një ish-komisioni të reformës zgjedhore. Nga komunikimet që kemi nga eksponentë të rëndësishme të palëve politike, që janë shprehur individualisht, por s’kemi një reagim institucional, se çfarë do ndodhe me ecurinë e komisionit të reformës zgjedhore. Por dyshoj se ne nuk do kemi më një komision të reformës zgjedhore. Nga artikulimet kuptojmë që do ketë një grup punë, me 6 anëtarë, tre mazhorancë, tre opozitë. Ndoshta edhe artikulimi i z.Bardhi ishte opozita do jetë 2 plus 1 duke i rezervua një vend grupit Basha. Por të gjitha këto s’janë të sqaruara. Disa parti s’janë dakord me depolitizimin e administratës zgjedhore. Ekspertët, një pjesë thonë që s’jemi dakord, sepse s’i besojmë që zgjedhjet të administrohen nga një administratë shtetërore e presionuar nga mazhoranca. A do kemi lista të hapura, votë të emigrantëve, nëse partitë do bëjnë balanca numerike, ne kemi një alarm dhe një pikëpyetje të madhe. Edhe kryekomisioneri ka thënë nëse nuk përmbushen detyrimet e Gjykatës Kushtetuese, rriskojmë për ta realizuar votën e emigrantëve në 2025. Komisioni i Reformës zgjedhore ka dështuar me vullnetin dhe marrëveshjet e heshtura që palët politike kanë bërë me njëra tjetrën”.



