
Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm shortin që pritet të hidhet nesër për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, i ka dërguar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi një letër, me anë të së cilës kërkon ndërprerjen e menjëhershme të procedurës për zgjedhjen e kandidatëve nga institucionet kryesore të drejtësisë: Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Apelit, Gjykata Administrative dhe Prokuroria.
Sipas PD-së, kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim flagrant me kompetencën kushtetuese dhe ligjore duke u diktuar organeve të pavarurave zbatimin e deformuar të ligjit, me qëllim garantimin e kontrollit politik të maxhorancës mbi organet e drejtësisë.
Në letër thuhet se kryetari i Kuvendit u ka kërkuar institucioneve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Pëgjithshëm, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të hartojnë listat e kandidatëve për KED, duke u bazuar tek neni i Kushtetutës që përcakton masën disiplinore si kriter të vetëm për kandidatët.
“Kryetari i Kuvendit ka shmangur kriteret ligjore, të zbatuara për shortin e Janarit 2017 nga të gjitha institucionet e pavarura. Ligji përcakton 8 kritere për kandidatët, duke rritur cilësinë e tyre. Mes kritereve është edhe përfundimi i Shkollës së Magjistraturës”, thuhet në letër.
Në letrën e Partisë Demokratike thuhet se: “Ndryshimi i paligjshëm i rregullave të lojës në mes të procesit, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Ndryshimi i këtyre rregullave, për shkak të përshtatjes me vullnetin e njëanshëm të mazhoracës, përbën haptazi tentativë për të ndikuar në përbërjen e KED-së, me qëllimin final, garantimin e kontrollit politik nga mazhoranca mbi këtë organ të pavarur kushtetues dhe nëpërmjet tij, në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.”
Shorti për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së do të hidhet nesër në Kryesinë e Kuvendit.



