Duket se brenda maxhorancës ka zëra të ndryshëm për rolin e OMN, ose më saktë disa ministra të LSI e kanë kundërshtuar, ndërsa deputetë të Partisë Socialiste e shohin si normale rolin e ndërkombëtarëve duke theksuar se nuk e shkel Kushtetutën.
Pas Pandeli Majkos ishte deputeti socialist Erjon Braçe I cili ka qenë pro Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), dhe akuzon politikën se po tenton të dështojë procesin e Vettingut, duke sulmuar ndërkombëtarët.
I ftuar në studion e “Report Tv”, Braçe u shpreh se roli i ONM-së është i parashikuar në Kushtetutën e vendit.
Sipas tij, politika që po ndërhyn tani, duke paragjykuar pa nisur fare procesi i Vettingut, ka për synim të dështojë apo marrë nën kontroll procesin.
"Ç'punë ka politika me sistemin e drejtësisë? Ndaj të gjitha institucioneve ka një sulm të paimagjinueshëm. Në shkelje të rëndë të Kushtetutës, olitika dhe ky sistem i kalbur drejtësie kanë pasur një aleancë shumë të fortë që kanë instaluar në Shqipëri kulturën e pandëshkueshmërisë. Dhe politika që po ndërhyn tani, duke paragjykuar pa nisur fare procesi i Vettingut, por me synimin e qartë për ta dështuar apo marrë nën kontroll procesin, po ndërhyn për të mbrojtur pikërisht këtë status quo. Nëse ka një garanci për Vetting-un, kjo garanci vjen nga ONM i parashikuar në Kushtetutë. Në funksion të asaj që është parashikuar në Kushtetutë, kanë ardhur në Shqipëri vëzhguesit e huaj, pesë gjyqtarë të cilët plotësojnë të gjitha kriteret e parashikuara në Kushtetutë. Ky operacion kryesohet dhe është në përgjegjësinë e Komisionit Europian. Këta janë garanci për procesin e Vettingut", u shpreh Braçe.



