
Presidenca ka reaguar pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla se “Kuvendi duhet të rishikojë legjislacionin për të shmangur krijimin e situatave që pengojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese”.
Në emër të Presidencës, zëdhënësi Tedi Blushi thotë se presidenti është i vetmi institucion plotësisht legjitim në vend dhe përpjekja për t’i marrë atij kompetencat kushtetuese nuk bën gjë tjetër veçse përshpejton instalimin e asaj që ai e quan Ramaforma.
“Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës. Po Presidenti ç’do bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit! Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!”, shkruan Blushi.



