
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), janë vënë në sekuestro 52 pasuri të dyshuara si të lidhura me një grup të strukturuar kriminal pranë AKSHI-t.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, analisti Andi Bushati e cilësoi këtë grup si një “Ministri të Kriminalitetit”, duke pretenduar se përmes tij kontrollohej një pjesë e kriminalitetit në vend.
Kjo dosje për mua është pasqyra më e rëndë e asaj që ndodh në Shqipëri. Jemi mësuar, pavarësisht se janë hajdutë me shifra të mëdha, janë zbuluar vjedhje ordinere.
Merr lekët për incenerator dhe i zhduk nuk bën incenerator. Këtu përveç vjedhjes me tendera, kemi korruptim të policisë, hipotekat, gjykata, thonë edhe të SHIK.
Nëse do ti vija një emër, siç ka Rama ministrinë për rrugët, ministrinë për shëndetësinë, kjo ishte "Ministria e Kriminalitetit".
Edi Rama nëpërmjet këtij grupi kontrollonte kriminalitetin e Shqipërisë. Ku duket?
Duket që këtu përveç vjedhjes së parave publike, futet rrëmbimi i personave. Simbioza e vjedhjes me kriminalitetin dhe banditizmit, e një konkurenti që nuk bindet dhe rrëmbehet, thonë të njëjtën fat ka patur familja e shqiptaro-gjermanes.
Tjetër gjë, po të shohësh nivelin e fshehjes së pasurive, është më u sofistikuar. Pse? Deri tani jemi mësuar që ia lë kushëririt dhe shokut, por këtu janë të përfshirë një sërë punonjësish të kompanisë së Beqirit, që merr tenderat publikë, në fshehjen e parave të korrupsionit që kompania e Beqirit ndan.
Pra ka një ndërmarrje që përfiton para publike dhe brenda kësaj, një ndërmarrje me sistem të organizuar të fshehjes së pasurive të zyrtarit. Në këtë nivel ka arritur majën e sofistikimit të vjedhjes dhe kriminalitetit.



