Dalin detaje të reja lidhur me një shpërthim tritoli të ndodhur mbrëmjen e së hënës në Fushë Krujë, në makinën e kryetarit të njësisë administrative, Ilir Loci.
Gazetari Juli Simoni raportoi për MCN Live, se ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Larushkut, ndërsa makina ndodhej e parkuar pranë një lokali.
Persona të paidentifikuar hodhën lëndën plasëse, ku si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme jo vetëm në makinën tip “Range Rover” të Ilir Locit, por edhe në një makinë tjetër, tip fuoristradë.
Ka dyshime se ngjarja lidhet me detyrën e tij si administrator i Fushë Krujës, ndërkohë po mblidhet çdo provë dhe dëshmi për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Nga ana e policisë po bëhet këqyrja e kamerave të sigurisë për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
Ndërkohë vetë Loci ka thënë se nuk ka konflikte me njeri, duke hedhur dyshime se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e tij.



