
Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të paeskspozuarit” në MCN TV, komentoi qëndrimin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Sali Berishën, duke e cilësuar si një kthesë që sfidon narrativën politike të katër viteve të fundit në Shqipëri.

Bushati tha se lajmi se Berisha mund të udhëtojë lirshëm drejt SHBA-së nuk përbën ende një zhbërje formale të shpalljes "non grata", por një zhvlerësim të saj, duke sugjeruar se kemi të bëjmë me një lëvizje politike, jo ligjore.
Ai ishte i ashpër në vlerësimin e ndikimit që ky zhvillim ka mbi ata që, sipas tij, e dogmatizuan qëndrimin amerikan, duke e përdorur si argument për të justifikuar qëndrime të njëanshme politike.
Është një 'shpullë fytyre' për të gjithë ata që na kanë çarë kokën me ‘e tha Amerika, e tha Zoti’, që bënin gjithçka sipas ‘aleatit strategjik’, pavarësisht bindjeve apo realitetit.
Nuk kemi një anulim apo zyrtarisht një tërheqje të non-gratës. Është një zhvlerësim, një akt që ndoshta është fryt lobimi apo një vendimmarrje tjetër brenda administratës amerikane, por që në thelb i bie ndesh gjithë asaj që është thënë për katër vite me radhë.
Berisha personalisht nuk ka marrë ende atë që dëshironte, një vendim të qartë për heqjen e shpalljes non grata, por se përmbysja e narrativës publike është zhvillimi më domethënës.



