Ish-nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Ali Zaimi thotë se kërkesa e Ankarasë për ekstradimin e simpatizantëve të Gylen është e kahershme dhe se ata e përsërisin në çdo takim që bëjnë, por marrin një përgjigje të prerë nga vendet demokratike.
Përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv, Zaimi tha se Erdogan përfiton nga vendet e treta, me probleme dhe vështirësi ekonomike në mënyrë që të arrijë qëllimin e tij.
Lidhur me mbylljen e shkollës “Mehmet Akif”dhe kopshtit “Zubejde Hanim”, pedagogu theksoi se edhe pse trumbetohet fort nga qeveria se vendimi nuk ka qenë i ndikuar, u vlerësua nga Ankaraja.
Kërkesa e Ankarasë për ekstradimin e simpatizantëve të Gylen është e hershme dhe përsëritet gjithmonë sa herë ka një takim. Është një kërkesë që e bëjnë me homologët në të gjithë botën dhe kanë marrë një përgjigje të prerë nga vendet demokratike. Ata përfitojnë nga vendet e treta që ndonjëherë le të themi ndihen të detyruara të plotësojnë këto kërkesa që kalojnë kërkesat e marrëzisë. Regjimi kërkon që të ekstradojë simpatizantët vetëm se e simpatizojnë Gulen.
Qeveria shqiptare i ka qëndruar fort mendimit që mbyllja ka qenë për efekte teknike, dhe s’është ndikuar, por Ankaraja këmbëngul duke e falenderuar dhe duke e vlerësuar mbylljen e shkollave.
Qeveria është e detyruar të respektojë ligjet e veta, e ligjet ndërkombëtare. Në momentin që qeveria dëgjon tekat e një regjimi, të mbyllë shkolla dhe të bëjë atë që kërkon pa një argument është marrëzi dhe nuk mendoj se Shqipëria duhet të dëgjojë marrëzi të tilla se do të krijojë një klimë jo të mirë jo vetëm për simpatizantët e Gulen, por edhe për sipërmarrësit. Pasi shqiptarët humbin shpresën dhe nuk kanë siguri për klimën e biznesit. Kjo është e keqe për ne.
Gulen është personalitet me përmasa globale dhe cilësohet në rangun e personalitetve me ndikim të madh. Fjalimet e tij janë publike dhe ndjekësit kanë vetëm këtë lidhje. Ata janë njerëz që merren me arsimin. Turqia kërkon të ekstradojë njerëz që merren me arsimin. Çdo kush që ka marrë pjesë në një grusht shteti meriton të dënohet por nuk ka pse përndiqet familja e tij.
Më tej, Zaimi tha se xhamia e Namazgjasë është ndërtuar me fondet e besimtarëve myslimanë turkë dhe se KMSH ka pranuar vetëm miqësinë dhe jo diktimet nga qeveria e Erdogani që ka si qëllim kapjen e KMSH-së
KMSH është institucion që ka traditat e veta dhe vijon të administrohet përmes këtyre traditave. Kemi një regjim teokratik që do ta shtrijë sundimin për efekte historike e kapriçose, duan që ta drejtojnë dhe jetën fetare, duan ta daktitojnë, ashtu sikurse pretendojnë të diktojnë dhe në politikë. Ata mundohen ta përdorin këtë për të diktuar jetën fetare gjë që nuk ë pranuar. Është pranuar vetëm miqësia, dhe duke mos pranuar ata thonë ju jeni gylenistë. Shumica e besimtarëve në botë simpatizojnë Gulenin. Arsyeja është për të marrë në dorë KMSH, që nëse do ndodh do ishte e rrezikshme. Xhamia po bëhet me fondet e mbledhura nga fondet e qytetarëve myslimanë të Turqisë. Në momentin që politika vijon të ndërhyjë, prish dhe sjell ndasi e konflikte të mundshme.



