Gjykata Kushtetuese në Kosovë i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit në detyrën e kryeministrit.
Në bazë të këtij vendimi, Kosova nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, ashtu siç kërkon Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, por i njihet e drejta Avdullah Hotit për të krijuar kabinetin e tij.
Pak ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi deklaroi se do të jepte dorëheqjen nëse Kushtetuesja vendoste në favor të Albin Kurtit.
Më 25 mars, Kuvendi I Kosovës rrëzoi qeverinë e Albin Kurtit përmes një mocioni mosbesimi të paraqitur nga LDK-ja e Isa Mustafës, ish-partnere në koalicionin qeverisës me Vetëvendosjen për rreth 2 muaj.
Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekretoi Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Thaçi e dekretoi Hotin pas disa letrave që i dërgoi Vetëvendosjes për emërimin e një mandatari të ri, kërkesa të cilave VV nuk iu përgjigj. Pas dekretimit të Hotit, Vetëvendosje e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila e pezulloi zbatimin e dekretit të presidentit, deri sonte në mbrëmje, kur u bë publik vendimi.
Vetëvendosje është shprehur e gatshme për zgjedhje të reja, pasi beson se ka shumicën e votave të qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë, ajo i ka nisur protestat me të cilat kërkon zgjedhje të reja. Pasditen e sotme, në Prishtinë u mbajt një protestë sipas rregullave të reja të distancimit fizik, gjatë të cilës rreth 5 mijë mbështetës të partisë së Kurtit bënë thirrje për zgjedhje të reja.



