Analisti Denis Dyrnjaja duke komentuar në edicionin e lajmeve në MCN Tv raportimin e bërë nga Altin Dumani para KLP, tha se kreu i SPAK shënjestroi sot trinomin politikë-krim i organizuar-media.
Sipas Dyrnjasë ky trinom ka marrë një pushtet të madh, dhe është i rrezikshëm, pasi mund të cenojë edhe sigurinë kombëtare. Ai i sheh deklaratat e Altin Dumanit si kambanë alarmi.
“Në raportin e kreut të SPAK, Altin Dumani sot në KLP, vihet re një lloj stanjacioni në raport me raportin e një viti më përpara, pra vitit 2023. Përveç faktit që ka një shtim të rasteve nën hetim, ku janë referuar 33 raste të zyrtarëve të lartë për korrupsion.
Dumani vuri në dukje faktin që institucionet shtetërore s’po deklarojnë rastet e korrupsionit, ka një kompromis të pashkruar për të mos ekspozuar veten, dhe kjo e vështirëson punën e Prokurorisë. Ajo që e bën më shqetësuese deklaratën e Dumanit është një kompromis që ai mes rreshtave e theksoi, mes politikës, krimit të organizuar dhe medias.
Ky është trinomi më i rrezikshëm që mund të cenojë qoftë edhe sigurinë kombëtare, kur merr kontroll të shumë elementëve dhe rrethanave të caktuara. Duhet parë si një kambanë alarmi deklarata e kreut të SPAK, ku trinomi politikë, krim, media, ka marrë një pushtet të madh.
Parlamenti duhet të kishte ndërmarrë një vendimmarrje për statusin e prokurorëve. Kam përshtypjen që s’është lënë edhe aq pa qëllim. Po pritet të mbarojnë zgjedhjet dhe do shohim si do t’i qaset politika, pasi për ndryshime kushtetuese duhen 94 vota.
A do të bashkojnë socialistët dhe demokratët votat për t’ia shtuar mandatet prokurorëve të SPAK, kur ndërkohë dimë që z.Berisha është rreshtuar haptas kundër Dumanit, por edhe SPAK, si ajo funksionon duke e cilësuar si ‘strukturë kriminale’.Këto janë deklarata të forta dhe s’e dimë cili do të jetë qëndrimi i opozitës dhe mazhorancës, nëse do kenë të njëjtë linjë apo do të mbajnë qëndrime të ndryshme.
Rama bëri një kthesë 180 gradë, pasi fillimisht i doli në mbrojtje Erion Veliajt dhe pastaj tha ne jemi garantët dhe rojtarët e reformës në drejtësi. Goditjet që pritet të ndodhin do t’i jepnin besueshmëri të madhe SPAK, duke i kujtuar edhe z.Dumani dhe trupës së prokurorëve që mos delirojnë, në një vetëkënaqësi të këtij pushteti që po ua jep ligji.
Pa një Prokurori dhe drejtësi të fortë, nga pikëpamja ligjore, por jo represive, neve kemi gjasa të përfundojmë në një degradim shtetëror të madh, sidomos në një mandat të katërt të një qeverisjeje, që çel fushatën me këngë e vallë sikur të jemi në një vend me nivel jetese të lartë e jo me pagën minimale më të ulët në Evropë".



