Kryeministri italian Giuseppe Conte ka falënderuar Shqipërinë për dërgimin e ekipit shqiptar të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Bergamo në ndihmë të stafit italian për përballimin e situatës së shkaktuar nga virusi COVID-19.
Conte ka shpërndarë në faqen e tij zyrtare në “Facebook” videon me fjalimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke shkruar “Faleminderit” dhe duke e shoqëruar me ikonën e flamurit shqiptar.
Rama ishte dje në Rinas për të përcjellë ekipin shqiptar dhe ndër të tjera tha se Shqipëria e bëri këtë në shenjë solidariteti. “…Pavarësisht se nuk jemi të pasur, shqiptarët nuk e harrojnë mikun në vështirësi”, u shpreh ai.
“E di se 30 mjekë nuk e përmbysin raportin. Por di që edhe andej është shtëpia jonë që ku Italia, motrat dhe vëllezërit italianë na pritën kur Shqipëria digjej nga dhimbjet e papërshkrueshme. Ne po luftojmë me të njëjtin armik të padukshëm dhe mjetet nuk janë pa kufij. Por nuk mund të mbajmë forcat rezerva kur në Itali po kurohen dhe shqiptarë të plagosur nga armiku dhe që kanë nevojë për ndihmë.
Është e vërtetë që sot të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre. Mbase pikërisht pse nuk jemi të pasur dhe nuk na ka lënë kujtesa akoma, ti tregojmë Italisë se nuk e harrojmë mikun në vështirësi.
Kjo është një luftë ku askush nuk fiton dot i vetëm. Dhe ju të dashur anëtarë dhe anëtare të një misioni kurajoz po niseni për një luftë që është edhe e jona. Sot jemi të gjithë italianë. Italia duhet dhe do ta fitojë luftën edhe për ne edhe për gjithë Europën e botën. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, tha dje në fjalimin e tij Kryeministri.



