
Ish deputet i PD, Luçiano Boçi në studion e MCN Live ka komentuar situatën në Partinë Demokratike ku u shpreh se momentet reflektuese janë post-zgjedhore. Ai kritikoi se si devijohen proceset në PD. Sipas tij, Basha ka të drejtë që të kandidojë, por deklaratat e tij nuk përputhen duke e cilësuar të gjithë këtë një ngjarje politike të stimuluar. “Ngjarja politike është ngjarje e stimuluar, s’mund të ketë zgjedhje të tilla brenda një organi politik kaq të franskionuar të cilat duhet të bashkohen dhe janë proceset ato që e bashkojnë dhe jo revanshet për të rrëmbyer interesa politike në momente kur ti e sheh si një moment oportun tëndin. Kryefjala e çdo fjale të demokratëve, çdo drejtuesi të lartë duhet dhe ka qenë bashkimi. Kemi 1 vit e gjysmë që flasim për bashkimin dhe ka mbetur vetëm te retorika. Kjo është dramatike për fatin e PD, por po shndërrohet dhe paksa qesharake sa dhe vlera e forcave politike në opinion ka një rrëzim”. Në vijim ai shtoi se Lulzim Basha dha dorëheqjen për të mirën e PD dhe tani do të zgjidhet kryetar për të mirën e saj, por të dyja këto bashkë nuk shkojnë. Boçi tha se shqetësimi i vetëm mbetet bashkimi i partisë dhe kjo duhet bërë që demokratët ti thërrasin arsyes. “Nuk ja heq të drejtën Bashën dhe askujt tjetër mundësinë për të kandiduar, por partia është bashkim vullnetesh, është një shoqëri aksionere ku ka aksione çdo anëtar i thjeshtë dhe jo të dali njëri dhe të thotë do kap çdo gjë se kam ca njerëz dhe kam dhe parlamentin e kapur nga Rama, kjo është një ngjarje politike e stimuluar. Shqetësimi im kryesor është bashkimi i partisë, kjo më shqetëson, interesi im është që PD të jetë e madhe dhe të përfshijë brenda saj dhe mendimet ndryshe. Por kjo mënyra e dëshirueshme për ndarje më lë një shije të keqe. Të bëhet një proces pasi të mbarojë mandati i kuvendit 11 dhjetor dhe pastaj Basha dhe kushdo tjetër le të futen në një garë, por s’mund të dalë askush sot dhe të thotë unë kam vulën sepse ajo vulë është gjaku i 30 vjetëve”. Problemi kryesor në Shqipëri për Boçin është vota sepse kur ajo është e lirë shoqëria krijon vizion dhe ide, dhe sipas tij ne sot na është rrëmbyer vota. “Jemi në kundërshtim kohor dhe jo politik, ky proces duhet të ndalet dhe të mos zhvillohet. Politika është arti i së pamundurës. Ne duhet të vazhdojmë ti thërrasim arsyes sepse s’mund të mbajmë mbi shpinë përçarjen e PD dhe ka ende logjikë dhe arsye që duhet ti japim vlerë. Duhet të bëhemi bashkë sepse PD është bashkim vullnetesh për demokracinë. Bashkimi duhet stimuluar, mos të ketë frymë përçarje.”.



