Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Elbasanit është shoqëruar me debat, ku anëtarët e opozitës kanë kundërshtuar miratimin e kontratës së shërbimit publik për pranimin, depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve.
Anëtari i Këshillit Bashkiak nga Partia Republikane, Ergys Muzhaqi tha që për një ton mbetje paguhen 2500 lekë dhe Elbasanit i është shtuar një kodër plehrash.
Ai flet për një katastrofë ekologjike dhe mjedisore, duke vënë në dukje se landfilli është afër qendrave të banuara dhe buzë lumit Shkumbin.
Muzhaqi vë në dukje se situata ka mbështetje politike nga bashkitë e drejtuara nga PS, duke shtuar se nuk mjafton hetimi i Prokurorisë ndaj “Eco Alb”.
“Dje në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak, një nga pikat në rendin e ditës, ishte kërkesa që të miratohej kërkesa me Eco Alb, me të njëjtat kushte si më përpara. U hodh në rendin e ditës, nga ana tjetër, nga përfaqësuesit e PS, pati propozimin që të zbërthehej më mirë në terma financiarë kjo kontratë.
Kostoja e trajtimit dhe përpunimit të plehrave mund të varionte, kështu që mund të na sillej një relacion lidhur me këtë. Eco Alb-i e ka marrë në 2022-shin administrimin e landfillit, pasi është bërë sekuestro preventive e firmës origjinale që supozohej të ndërtonte inceneratorit. Nga 2022-shit deri në 2025-ën, vazhdon bashkia që të kërkojë, me gjithë kundërshtitë e opozitës, dhe me gjithë situatën aspak të favorshme ligjore dhe kriminale, ku edhe Eco Alb është në hetim, nuk ndryshojnë asnjë lloj gjëje.
Ajo që pritet nga qytetarët është që bashkia të sjellë zgjidhje, që mos ketë aferë korruptive financiare, të qartë dhe të pastër. Merret tarifa e përpunimit të plehrave dhe nuk përpunohen plehrat. Nga anëtarët e këshillit bashkiak të opozitvs u kërkua një tjetër relacion, sa ditë ka punuar ky incenerator në 2024-ën, pasi në kontratë është specifikuar që duhet të punojë gjithë vitin.
Nga ana ime u kërkua që mos sillet më fare për shqyrtim diçka e tillë, për sa nuk na është sjellë një zgjidhje alternative, pasi kjo është zgjidhje e dështuar. Incenerim s’ka, përpunim plehrash nuk ka. Ka pasur një pikë që me kërkesë të këshilltarëve t’i dërgohet një memo Këshillit të Ministrave për një landfill të ri.
Por ne si këshilltarë s’na është dhënë memo. Socialistët e mbyllin çdo diskutim me forcën e votës. Qiraja është 1 euro. Eco Alb është shoqëri aksionere nga të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan. Aty incenerim s’ka. Për çdo ton paguhen 2500 lekë për ton, dhe gjendja aktuale, është qytetit të Elbasanit i është shtuar një kodër plehrash.
Është shumë afër qendrave të banuara dhe buzë lumit Shkumbin dhe kalon direkt në rrjedhën e Shkumbinit, dhe në shtresa nëntokësore, është një katastrofë ekologjike dhe mjedisore. Nuk ka asnjë trajtim të këtyre plehrave, vetëm se herë pas here bie ndonjë zjarr ‘aksidental’! Unë besoj se Prokuroria patjetër do gjejë përgjegjës.
Por do ishte e kufizuar që përgjegjësit të kërkohen vetëm te Eco Alb. Është një situatë që ka mbështetje politike. Kjo përkthehet në lidershipin politik të Bashkisë së Elbasanit, dhe gjithë bashkitë e majta të Elbasanit. Është emergjente që ai landfill të trajtohet ndryshe".



