Avokati Dorian Matlija duke komentuar koston e shërbimeve gjyqësore, thotë se shtresa më e varfër ka një teori dhe ka një mbrojtje që të përjashtohet nga tarifa, pasi përjashtohen ata që kanë të ardhura nën gjysmën e pagës minimale.
Matlija deklaroi në emisionin MCN Economy se problemi shtrohet tek ata që kanë të ardhura pak më shumë se paga minimale, duke i cilësuar si shtresën më të dëmtuar.
Sipas tij, kjo kategori nuk përfiton asnjë lloj përjashtimi nga tarifa dhe se tashmë janë shtuar tarifat për ankimet, rekurset dhe se të gjitha veprimet që kryhen në gjykatë janë me tarifë të rritur dhe do të kenë kosto më të ngarkuar.
Nëse ke një pasuri 30 herë sa paga minimale, për shembull makinë, quhesh se ke pronë dhe nuk përjashtohesh nga tarifa dhe nëse familja ka mbi gjysmën e pagës minimale për çdo pjesëtar të familjes, nuk përjashtohen.
Shto kostot e ekspertëve. Pagesa e avokatit varion nga lloji i procesit gjyqësor, nuk ka një tarifë fikse. Dhoma e Avokatisë ka një listë tarifash, por nuk është ndryshuar prej 17 vitesh.
Avokatët tarifojnë mbi 100 mijë lekë të reja. Varion me gjyqe tepër të thjeshta që zgjidhet me 500 mijë lekë të vjetra dhe të tjera që shkojnë shumë më lartë. KLGJ nuk mund të shohë vetëm aspektin se si të mbushë financat e gjykatës, por duhet të përmbushë qëllimin kryesor që të funksionojë sistemi dhe të kenë akses të gjithë.
Vetë ligji ka pasur polemikat e veta kur është miratuar, është kthyer mbrapsht nga Presidenti Meta, por nuk u krijua një sistem tarifor i mbarë.
Po goditet në mënyrë të dyfishtë në gjyqësor, nga njëra anë po shtohen tarifat dhe nga ana tjetër harta e re gjyqësore, çdo gjë duket sikur po bëhet për ta larguar qytetarin nga gjykata.
Ai tha se tarifa për Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ekzistojë, pasi merret me mbrojtjen e Kushtetutës dhe nuk mund të vendoset tarifë për gjykime parimore.
Po e them hapur, sistemi gjyqësor është vrarë me dashje plotësisht, është shkatërruar në një pikë që nuk e kanë kuptuar ende njerëzit. Është e tmerrshme prognoza se çfarë do të ndodhë pas 5 vitesh, do të largohen edhe një pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi nuk kanë kaluar ende në veting.
Për të mos folur për Apelin, që do mbetet vetëm në Tiranë. Çdo dosje ka një histori jete njeriu që po nëpërkëmbet. Çështja e gjykatave po bëhet emergjencë kombëtare.
Ne po shohim që çdo vit po projektohet akoma më keq viti pasardhës. Unë kam çështje të dosjes ‘Gërdeci’ që janë në shkallën e parë që prej vitit 2011. Imagjino mund të ketë njerëz që do të vdesin, pa marrë ende vendim.
Lidhur me vonesat e paarsyeshme, deklaroi se gjykatat nuk po e aplikojnë dhe se për këtë gjë është Gjykata e Strasburgut.
Ai u shpreh kritik për reformën në drejtësi, duke nënvizuar se është qesharake që ti vendosësh tarifë avokatit për vonesën e një procesi 150 mijë lekë, ndërkohë që shteti i cili vonon me vite nuk ndëshkohet.



