Presidenti i Kilit, Gabriel Boriç është bërë lideri i parë që viziton Polin e Jugut, pasi mbërriti në një bazë amerikane.
Presidenti tha se vizita e tij në Stacionin e Polit Jugor Amundsen-Scott ripohoi pretendimin e Kilit për sovranitet mbi një pjesë të Antarktidës.
“Ky është një moment historik për ne”, tha Boriç në pamjet e shfaqura në televizionin kilian, përpara se të shtonte “është hera e parë që një president kilian vjen në Polin e Jugut dhe flet për misionin e Kilit në Antarktidë”.
Boriç udhëtoi me një grup shkencëtarësh dhe disa anëtarë të kabinetit, duke përfshirë ministra për forcat e armatosura dhe mjedisin, tha zyra e tij.

Boriç tha se vizita e tij nënvizon vendosmërinë e Kilit për të luajtur një rol kyç në projektet shkencore në zonë, veçanërisht ato që përfshijnë ndryshimin e klimës.
Në një deklaratë, qeveria tha se qendrat kërkimore, universitetet, diplomatët dhe forcat e armatosura ishin bashkuar për të siguruar që Kili të bëhet porta e botës për në Antarktidë.
Presidenti i majtë Gabriel Boriç fitoi zgjedhjet presidenciale të Kilit në vitin 2021 për t’u bërë udhëheqësi më i ri i vendit, në moshën 35-vjeçare.
Vetëm dy liderë të tjerë botërorë kishin vizituar Polin e Jugut përpara Boriçit, kryeministrat e Zelandës së Re dhe Norvegjisë.
Disa vende, duke përfshirë Kilin, Britaninë e Madhe, Francën, Norvegjinë, Australinë, Zelandën e Re dhe Argjentinën, kanë pretenduar për pjesë të Antarktidës dhe shumë të tjera kanë një prani atje.
Antarktida nuk është një vend, nuk ka qeveri dhe asnjë popullsi indigjene. I gjithë kontinenti është lënë mënjanë si një rezervë shkencore.
Traktati i Antarktidës, i cili hyri në fuqi në vitin 1961, ruan një ideal të shkëmbimit intelektual.
Stacioni i Polit të Jugut Amundsen-Scott është emëruar pas Roald Amundsen, eksploruesi norvegjez që udhëhoqi ekspeditën e parë në Polin e Jugut dhe gjithashtu Robert Scott, eksploruesi i Mbretërisë së Bashkuar të cilin Amundsen e mundi në pol në 1911.
Scott dhe katër shokët e tij vdiqën në pjesën e kthimit të udhëtimit të tyre pasi u kapën në një stuhi.



