Skandali/ Karburanti i Kastratit në Lungomare, me firmë të Ramës (VIDEO)

Skandali/ Karburanti i Kastratit në Lungomare, me firmë të Ramës (VIDEO)

Gjithçka nisi natën, siç tregojnë këto pamje ku një eskavator shkul një palmë në shëtitoren e Lungomares në Vlorë për t’i mundësuar kompanisë Kastrati dhe ortakut të tij zgjerimin e pikës së karburantit.

Ditën pamja është edhe më qartë se çfarë kanë dashur të bëjnë punëtorët e kompanisë së karburantit për të mundësuar vendosjen e tendës që shtrihet mbi rrugën kryesore. Palma që u hoq natën është rivendosur për t’iu përshtatur  projektit të ri të kompanisë Kastrati dhe ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, të shkarkuar fillimisht nga vettingu në 30 korrik të vitit 2018, vendim që u la në fuqi edhe nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.

TvT: “Qyteti i Vlorës ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë viteve të fundit. Jemi pozicionuar pikërisht në Lungomare, shëtitorja e këtij qyteti ku për hir të së cilës janë shembur disa objekte për t’i lënë vendin hapësirave publike, por pikërisht në këtë hapësirë publike është shtrirë tenda e një karburanti ku është miratuar rikonstruksioni i tij në muajin maj të vitit 2019. Kjo tendë shtrihet pikërisht mbi trotuar, pra mbi një pronë publike.”

Për të zgjeruar pikën e saj kompania Kastrati dhe ortaku i tij kanë siguruar dritën jeshile nga vetë kryeministri. Dokumentat që disponon TvT tregojnë se leja për ndërtimin dhe zgjerimin e kësaj pike karburanti është dhënë me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit të firmosur nga vetë kryeministri me datë 17 maj të vitit të kaluar, vetëm pak muaj pasi familja Selimi e shiti gjysmën e pronës te “Kastrati” sh.p.k.

Ne iu drejtuam Bashkisë së Vlorës për të mësuar se mbi çfarë procedurash është mundësuar ndërtimi i kësaj pike karburanti përgjatë Lungomares. Nënkryetari Shkëlqim Rama na thotë se për aq kohë sa firma është vënë nga kryeministri nuk ka vend për diskutime të mëtejshme.

Nënkryetari i Bashkisë Vlorë, Shkëlqim Rama:  “Nuk mendoj se ka vend akoma për diskutim në momentin që themi që ky karburant ka qenë me leje dhe vazhdon të jetë me leje. Lejet janë dhënë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, por kuptohet që edhe Bashkia e Vlorës ka qenë pjesë e miratimit të saj.”

Sipas të dhënave të siguruara nga TvT, parcela në të cilën është ndërtuar ky karburant ka një sipërfaqe prej 432 metrash katror, dhe për ta zgjeruar këtë pikë Kastrati Sh.a ka marrë me qira një hapësirë shtese me prej 58m2 nga bashkia e Vlorës. Sipas nënkryetarit, lejes së firmosur nga kryeministri thjesht i është bashkangjitur miratimi për shtesën me kërkesën bërë kompanisë belge për modifikimin e projektit.

Për zgjerimin e kësaj pike karburanti para pak ditësh u protestua nga një grup qytetarësh. Nënkryetari Rama thotë se ai nuk ka dijeni por nuk mund të thotë të njëjtën gjë edhe për krybashkiakun, Dritan Leli.

Nënkryetari i Bashkisë Vlorë, Shkëlqim Rama:  “Në dijeninë time, ose tek unë personalisht absolutisht jo. Nuk e di marrëdhënien që ka pasur kryetari me ta”.

Dritan Leli u takua këtë të premte në Vlorë me kryemnistrin Rama, pikërisht  duke bërë një inspektim për punimet në Lungomare. Vetë kryeministri ka shkruar mbi videon e publikuar prej tij disa sqarime për zgjerimin e pikës së karburantit mbi shëtitore, duke folur për një vlerë të shtuar të arkitekturës urbane.

Dhe një sqarim për "benzinaton" në Lungomare: Sikundër e kam denoncuar publikisht, "Benzinatua" u ndalua nga Gjykata e Lartë të shpronësohej, me një nga vendimet më skandaloze të historisë së shpifur të Drejtësisë së Vjetër! Kështu "benzinatua" mbeti aty si një çiban dhe arkitekti i famshëm belg i Lungomares, Xavier de Geyter, konceptoi një objekt - skulpturë urbane (strehën e zezë në formë kryqi), duke ia përshtatur estetikisht atij segmenti të shëtitores. Objekti tanimë është realizuar si një vlerë e shtuar, duke e "ambalazhuar" me sukses peshqeshin e mbetur aty nga Gjykata e Lartë.

Kreu i qeverisë madje dha përgjigje të detajuar edhe për palmën që u hoq gjatë natës. 

Palma e vetme që u hoq gjatë punimeve, për të cilën vunë kujën ata që na u kthyen nga sharësit e paepur të Lungomares kur ndërtohej, në mbrojtësit e flaktë të ekologjisë vlonjate, do të zëvendësohet padyshim. Kështu që fjalët mbrapsht atyre për sot dhe nesër si gjithnjë për çdo punë që bëj unë, "benzinatua" do të kalojë nga fletët e Librit të Sharjeve në albumin e ndërhyrjeve urbane, që kanë ndryshuar e do të ndryshojnë më tutje faqen e qyteteve tona, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik e turistik të vendit  

Ndryshe ishte shprehur kryeministri pak vite më parë për të njëjtën teksa hidhte akuza për ata që nuk pranonin shpronësimin.

Kryeministri Edi Rama: “...pronarët në det. Dhe na bllokuan punën për një periudhë kohe. Pak më tutje na del një karburant, i cili na rezulton që qenka vepër e prashpronësueshme. Pra ne nxjerrim paratë për shpronësimin publik dhe gjykata vendos që kjo vepër, një palokarburant atje nuk mund t’u shpronësoka. A ka mundësi në botë që një gjykatë të vendosë kundër interesit publik dhe të mos lejojë shpronësimin e ligjshëm të një prone private në funksion të interesit publik?”

Por karburanti në fjalë i shpëtoi aksionit të prishjeve që ndrmori qeveria  në vitin 2014, si pjesë e shpronëseve që prekeshin nga ndërtimi i segmetit rrugor Skelë-Ujë i Ftohtë në Vlorë, pas padisë që Selimi bëri në Gjykatën Administrative të Apelit.  Rekursi i bërë nga qeveria në në qershor 2016 nuk u pranua nga Gjykata e lartë në kohën që Selimi ishte ende anëtar i saj. Pas kësaj qeveria pezulloi të gjitha përpjekjet dhe vetë kryeministri firmosi lejen për zgjerimin e pikës së karburantit që tashmë sipas tij është klasifikuar në vepër unike të arkitkekturës urbane.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy