
Banorët e Divjakës janë kundër vendosjes së traut në parkun e Karavastasë, duke i detyruar të paguajnë para për të kaluar rrugën. Çdo vizitor detyrohet të paguajë 50 lekë të reja ndërkohë për automjetet është vendosur një tarifë prej 150 lekësh të reja.
Lidhur me këtë deputetja e PD-së, Ilda Dhori, tha për “MCN live”, se vendimi për taksimin përmes traut elektronik në hyrje të Parkut Kombëtar të Divjakës është i padrejtë dhe se çështja është zhvendosur tashmë në Gjykatën Administrative.
Sipas Dhorit për çdo qytetar është e patolerueshme që të bllokohet aksi në plazh dhe park.
Ky vendim nuk prek vetëm zonën e Divjakës, por të gjithë shqiptarët dhe turistët që vijën cdo kohë të vitit. Këtë çështje ne do ta mbrojmë më tej sepse nuk mund të vendosesh hyrje të kontrolluar përmes biletarisë elektronike për të kaluar përmes parkut dhe plazhit në një rrugë që aksesohet përmes rrugës nacionale.
Kjo është një kauzë qytetare pa ngjyra politike, jam këtu si një qytetare vetë e Divjakës. Është e papranueshme që të bllokohet hyrja e parkut kombëtar, në një prej plazheve më të frekuentuara nga qytetarët. Do vijojmë të jemi në mbrojtje për të mos lejuar vendosjen e kësaj paligjshmërie, do vazhdojmë të kundërshtojmë këtë akt.
Asnjë s'ka të drejtë të taksojë ajrin. Ky vendim arbritrat duhet të zhbëhet. Ka tentativë për t'iu nënshtruar. E paimagjinueshme sepse është një rrugë nacionale dhe e vetmja rrugë që të çon në plazhin public të Divjakës, në një nga plazhet me vijën më të gjatë bregdetare dhe duke filluar që këtu është e patolerueshme.
Vendosja e një çmimi për ecjen e lirë, nuk mund të jetë as 50 as 100 lekë, duhet të jetë pa asnjë lekë, sepse nuk mund të taksohet një ecje e lirë për pasurinë kombëtare, nuk ndodh në asnjë vend të botës, nuk flitet këtu për vlerën e biletës, por flitet për parimin.
Jam e sigurt qe gjykata do të marrë vendimin për të drejtën e qytetarëve, dhe jam e sigurt që do të shpallet paligjshmëria për një bllokadë të tillë, dhe për faktin se kjo rrugë është e vetmja që të jep në aksesin e mbi 500 hektar pyll, kështu që praktikisht është në shkelje te hapur të ligjit. Do të ishte një absurditet nëse vendos gjykata kundër.



