Pesëdhjetë vjet më parë, kancelari gjerman, Willy Brandt, u ul në gjunjë për të kërkuar falje për krimet e nazizmit. Brandt e bëri këtë gjest më 7 dhjetor në memorialin e Varshavës.
Kancelari gjerman i asaj kohe, i cili kishte qenë në ekzil për pjesën më të madhe të viteve të nazizmit, qëndroi në heshtje për disa minuta.
Gjesti mbeti në histori si Kniefal von Warshau dhe u kthye në simbolin e pajtimit të Gjermanisë me Poloninë, duke hedhur themelet e marrëdhënieve moderne mes dy vendeve.

Roli i Brandt ishte i rëndësishëm edhe në traktatin që firmosën të dy vendet më pas.
Megjithatë, në atë kohë, nuk ishin të paktë ata që e kritikuan gjestin e Brandt, duke e cilësuar poshtërues për të gjithë qytetarët gjermanë.
Vetë Brandt, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1992, ka këmbëngulur gjithnjë se ai ishte një gjest spontan.
Sot, përfaqësues të Gjermanisë dhe Polonisë përkujtuan përvjetorin e këtij gjesti duke vënë kurora lulesh në monumentin në kryeqytetin polak.
“Disa akte mund të kthehen në ikonë që shpreh shumë më tepër sesa fjalët”, tha presidenti Andrzej Duda.



