Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj-Kortoçi, thotë se kontrolli i institucioneve është i domosdoshëm sa herë në treg krijohen situata duopoli. Në studion e MCN Economy, ku u diskutua mbi tregun e telefonisë celulare, Nunaj tha se situata e krijuar së fundmi ka çuar në humbjen e besimit te marrëdhënia biznes-qytetar. “Kompanitë tentojnë që sa herë gjejnë hapësira në treg të ndërhyjnë në mënyrë të zhdrejtë. Ekzistenca e vetëm dy kompanive e dëmton. Duke qenë se licencat jepen në mënyrë publike nuk do të duhej të pranohej të kishte vetëm dy kompani. Ka mungesë dhe humbje besimi në marrëdhënien biznes-qytetar. Ky i fundit shoesh detyrohet të zgjedhë të keqen më të vogël. Kur kemi cenim besimi, atëherë kemi problematika”, tha ajo. Nunaj-Kortoçi tha se institucionet duhet të bëjnë rolin e rregullatorit, para se qytetarët të detyrohen të denoncojnë problemet që hasin. “Nuk merret seriozisht mbrojtja e tregut dhe e konsumatorit. Institucionet nuk bëjnë rolin e rregullatorit. Qytetarët parapaguajnë përmes taksave dhe tatimeve, të cilat shkojnë për institucionet. Institucionet publike i lënë kompanitë në gjendje të lirë. Kompanitë që shkelin të drejtën e qytetarëve tregojnë për mosfunksionimin e institucioneve publike. Aktualisht në këtë treg janë vetëm dy kompani. Gjëja që duhet bërë është dhënia e licencës së një kompanie të tretë. Aktualisht është një situatë sikur dy kompanitë kanë ndarë tregun, janë të kënaqura, AKEPI vëzhgon dhe i pakënaqur është qytetari. Duhet rikontrolli edhe njëherë i marrëdhënies klient-kompani. Ushtrimi i kontrolleve e detyron kompaninë të respektojnë kontratat”, tha ajo.



