Autoritetet austriake kanë arrestuar shtetasin Kasandër Noga, pasi dyshohet se është personi që plagosi Erion Hasanbelliut në Bruksel. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ndërsa autoritetet belge bëjnë të ditur se autori qëlloi disa herë në drejtim të Hasanbelliut teksa ndodhej në një rrugicë të qytetit.
Pas ngjarjes, autori u largua nga vendngjarja ndërsa autoritetet belge e shpallën në kërkim. Pas hetimeve të kryera, 45-vjeçari është lokalizuar në një pallat në lagjen Donaustadt në Vjenë rreth orës 09:15 të së hënës. Në momentin e arrestimit, shtetasi nuk ka bërë asnjë rezistencë.
Ndërkohë, mediat belge shkruajnë se shkak për plagosjeen e Erion Hasanbelliut është bërë hakmarrja mes palëve.
Historia
Në vitin 2000, Kasandër Noga, i veshur si polic hyri me automatik në dorë bashkë me Julian Çelën dhe pasi kanë shkelmuar derën e reanimacionit ku ndodheshin te shtruar Aqif Hasanbelliu dhe Dritan Hajdini u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Hakmarrja vazhdoi edhe me një seri ngjarjesh të tjera, pasi Erion Hasanbelliu bashkë me vëllain e tij Geron Hasanbelliu ekzekutuan Julian Çelën dhe plagosën rëndë Kasandër Nogën në 2002, në Belgjikë.
Ai dyshohet për pesë vrasje dhe disa plagosje. Mes këtyre krimeve është dhe akuza për vrasjen e Astrit Shperdhejas në 25 gusht të 2001, ndërkohë që gjyqi u bë në Belgjikë në 2005. Po ashtu ai është dënuar edhe për vrasjen në vitin 1999 në Patos, të Kastrito Gropa dhe Edison Meminajt. Por pavarësisht këtyre krimeve të rënda, autori arriti që të ishte i lirë.
43-vjeçari Erion Hasanbelliu njihet edhe si Mikel Rakipllari është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Erion Hasanbelliu u ekstradua nga Belgjika drejt Shqipërisë në 21 Tetor të vitit 2013 pas kërkesës së Interpol, pasi ai bashkë me vëllanë akuzoheshin se në vitin 2002, kanë vrarë në Belgjikë, Julian Çelën dhe kanë plagosur rëndë, Kasandër Nogan.
Vëllai i Erionit, Geron Hasanbelliu është vënë në pranga në 14 qershor 2013, në rrugën e Barrikadave në Tiranë. Arrestimi dhe ekstradimi i tij erdhi pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 7 shtator 2009, e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim për gjakmarrje“ e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.



