
Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri, përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar, se Shtetet e Bashkuara kanë planifikuar një shumë prej 2 miliardë dollarë për vaksinën antiCovid, COVAX.
Në këtë paketë ndihme është e përfshirë dhe Shqipëria si dhe 92 vende të tjera të botës me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Në njoftim Ambasada thekson se kjo mbështetje është thelbësore për kontrollin e pandemisë, ngadalësimin e shfaqjes së varianteve të reja dhe ndihmën për të rifilluar ekonominë globale.
“Këtë vit, Shtetet e Bashkuara njoftuan 2 miliardë dollarë fillestarë – nga një total prej 4 miliardë dollarësh të planifikuar – për Angazhimin e Tregut të Përparuar COVAX, për të siguruar që Shqipëria dhe vendet e tjera të marrin vaksinat e Covid-19. Kjo mbështetje është thelbësore për kontrollin e pandemisë, ngadalësimin e shfaqjes së varianteve të reja dhe ndihmën për të rifilluar ekonominë globale.
Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me aktorët shqiptarë përgjatë kohëzgjatjes së pandemisë, për të forcuar përgjigjen ndaj Covid-19. Deri tani, ndihma totale për Covid-19 e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë ka arritur në më shumë se 2 milionë dollarë, duke përfshirë ndihmën në ndërtimin e kapaciteteve dhe forcimin e infrastrukturës, dhurimin e kompleteve për testimin COVID, pajisjeve shumë të nevojshme për kontroll dhe parandalim, sigurimin e transportit për ekipet e gjurmimit, dhurimin e pajisjeve mbrojtëse personale për Policinë Kufitare, shpërndarjen e ventilatorëve të prodhuar në Amerikë dhe shumë më tepër”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.



