Me tensione është duke vazhduar sot seanca e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për të pagjeturit.
Derisa në foltore po fliste deputetja e LVV-së Saranda Bogujevci, në sallën e Kuvendit janë përplasur deputetët e LDK-së dhe VV-së.
Ka qenë deputeti i LDK-së, Arben Gashi i cili fillimisht ka pasur konflikt verbal me deputeten Mimoza Kusari. Në përkrahje të Kusarit ka dal deputeti i LVV-së Hekuran Murati, i cili është përleshur fizikisht me deputetin Gashin, ku është përfshirë dhe deputeti Hajrullah Ceku.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar LVV-në se duke e politizuar çështjen e ndjeshme të të pagjeturve po e shfrytëzon atë për interesa politike.
“Kjo është një temë jashtëzakonisht e ndjeshme dhe trajtimi i saj mbi idenë e politizimit është vetëm edhe një hap tjetër drejt turpit të përbashkët të përdorimit për interesa ditore politike të një çështje kaq të dhimbshme nacionale. Personat e pagjetur dhe fati i tyre, dhimbja e familjeve dhe shoqërisë kosovare të përdoret për interesa politike me argumente të paqena është një turp i madh. Personat e pagjetur po trajtohen këtu nga një këndvështrim i gabuar, për personat e pagjetur ka vetëm një fajtor, është shteti i Serbisë, jo regjimi i Millosheviqit, por shteti i Serbisë, sepse ato vrasje, ato zhdukje janë kryer nga shteti i Serbisë”, tha ai,
Propozuesja e interpelancës, Saranda Bogujevci derisa po fliste në foltore është përplasur me deputetin e LDK-së, Arben Gashi, pasi ky i fundit u dëgjua duke thënë se “duhet me të ardhë turp”.
Pas kësaj, Bogujevci ka reaguar duke iu drejtuar Gashit me ton të lartë.
“Për çka me m’ardhë mu marre? Ti mos ma përmend mua familjen zotëri, se ti nuk ki të drejtë të flasësh për familjen time, rri aty ulu”.
Këtu ndërhyri nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci e cila kërkoi nga Gashi dhe deputetët tjerë që të ulen në vendet e tyre.
Përplasja verbale gjatë seancës së sotme, u bë shkak që seanca e Kuvendit të ndërpritet.
https://www.facebook.com/GazetaExpress/posts/10157642606251711


