Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në profilin e tij në “Facebook” një video, e cila u publikua sot nga kreu i PD-së, Basha. Videoja e Bashës është në fakt një akuzë për “10 milionë euro që Rama do t’i harxhojë për luksin dhe argëtimin personal”.
Vetë Rama e konsideron këtë akuzë një tallje me njerëzit dhe lojë e pacipë gënjeshtrash në mungesë vizioni.
Statusi i Ramës
Kur gënjeshtra i ka këmbët e gjata dhe fytyrën mbuluar me maskën tallëse të pafytyrësisë, shumëkush e ngatërron gabimisht me politikën; në fakt është vetëm pengmarrja e politikës për qëllimin më të ulët, synimin e pushtetit duke helmuar e çoroditur sa më shumë njerëz, në një përpjekje të harbuar për asgjësuar shpresën përmes asgjësimit të të vërtetave, shkatërrimit të provave, zhdukjes së fakteve!
Ja një shembull fantastik i politikës si tallje me njerëzit, si shprehje ekstreme e vulgaritetit, si lojë e pacipë gënjeshtrash në mungesë të një vizioni, programi, lidershipi e skuadre, që duhet t'u ofronte shqiptarëve alternativën e opozitës për ta bërë më të mirë atdheun e përbashkët...



