
Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, kritikoi ashpër Presidentin Bajram Begaj, për vendimin e tij për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, ndërkohë që është ende në pritje një vendim nga Gjykata Kushtetuese për shkarkimin e Erion Veliajt.
Bushati e cilësoi këtë akt si një "krim institucional", duke akuzuar Presidentin se mori rolin e gjykatësit, në vend që të qëndronte mbi palët.
Ku është pika ku është kryer krimi? ‘Te Bajromi’. Ai mund t’ia hiqte vetes këtë përgjegjësi. Mund të thoshte: ‘Presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj veprojmë’. Por jo, ai mori vetë rolin e gjykatës dhe interpretoi Kushtetutën sipas dëshirës.
Edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste sërish në favor të mazhorancës, Presidenti do të kishte ruajtur integritetin institucional.
Edhe po të vendoste Gjykata Kushtetuese në favor të Ramës,siç ka ndodhur gjithmonë, të paktën Begaj nuk do të kishte përdorur postin e tij për të legjitimuar këtë proces. Por tani ai e përdori veten dhe institucionin e Presidentit si vegël të pushtetit.
Nuk mund të kemi në këtë Republikë një ‘Bajrom’ që thotë: ‘Mos e çoni në Kushtetuese, por në Administrative’. Po kush je ti që vendos për këtë? Le të flasin gjykatat. Ai nga frika jo vetëm që e firmosi dekretin, por mori edhe rolin e gjykatësit.
Fatkeqësisht, nuk ishte vetëm pushteti që i hodhi baltë. Ai vetë i hodhi edhe më shumë.



