“Po të lë amanet fëmijët. Ki kujdes për ta!”. Këto kanë qenë fjalët e fundit që aktorja e mirënjohur Hajrie Rondos i ka thënë të shoqit para se të ndahej nga jeta në moshën 66-vjeçare.
Rondo, u shua në Himarë, në shtëpi, ndërsa pranë vetes kishte të bijën, Klean dhe të shoqin, Kiço.
I prekur dhe i dobët, ai tha për “GSH” se “Ishte e ndërgjegjshme deri në çastet e fundit. Madje në mëngjes, rreth orës 9 më la disa porosi. Mu duk se e ndjeu. Tha që t’i kem kujdes fëmijët, ta nderojmë”.
Aktorja prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë, madje dy muaj më parë ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë.
“Nuk u kujdes askush për të. E harruan të gjithë. E harroi edhe politika. Pati një ndërhyrje kirurgjike të vështirë kohët e fundit. Kush u kujtua për të? Askush!”, tha Kiço Rondo për “GSH”, mes trishtimit dhe pafuqisë.



