
“Tashko dhe Pustina” është studio ligjore që ka hartuar marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Në studion e lajmeve të MCN TV, gazetari Klodian Tomorri tha se kjo studio është e njëjta që është kontraktuar nga Klodian Zoto për inceneratorin e Fierit.
Kjo studio ka qenë studio ligjore e kontraktuar nga Klodian Zoto dhe kompania në fjalë e inceneratorit të Fierit. Sipas informacionit të publikuar, ka qenë pjesë e negocimit të kontratës. Ky është një shtet që transferon te privatët lehtësisht dhe deri në marrëzi funksione që janë të lidhura direk me interesin publik. Nëse shteti shqiptar mendonte se duhej të zgjidhte një model, nuk mund t’i drejtohej një kompanie private. Këtu është gjetur zgjidhja e thjeshtë që shpeshherë i kalohet privatit me licenca ekskluzive që janë koncesionuar në seri.
Tomorri tha më tej se nuk ka transparencë mbi marrëveshjen që praktikisht privatizon Parkun Kombëtar të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.
Qëllimi i fondacionit do të jetë ai i ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Në relacionet zyrtare, qeveria tentoi ta mbante sekret. Duhet theksuar që është një marrëveshje që ka nevojë për transparencë. Vetë ministria thotë në relacion se e ka hartuar këtë marrëveshje përkundrejt një kontrate sponsorizimi me Ministrinë e Kulturës.
Bëhet fjalë për një pasuri të paçmuar që shteti shqiptar nuk ka ditur ta menaxhojë në mënyrë që të krijojë të ardhura të mjaftueshme. Shteti nuk ka ditur ta bëjë këtë dhe jemi përballë një modeli të ri, përmes të cilit tentohet të administrohet kjo histori.



