Në Gjirokastër është përmirësuar gjendja lidhje me zjarret, ndërkohë që problematike mbetet situata në dy fshatra të Finqit, Krongj dhe Pec. Korrespondentja Jonida Qirko në një raportim për edicionin e lajmeve në Mcn Tv bën me dije se dëmet në apikulturë, kullota, toka bujqësore, janë të pallogaritshme. Fatmirësisht zjarret nuk kanë pasur pasoja në njerëz dhe banesa.
“Gjendja është normalizuar përgjatë orëve të para të ditës së sotme, duke nisur nga Gjirokastra, ku kemi patur vatra zjarri të rrezikshme përgjatë mbrëmjes së djeshme. Në fshatin Kodër, Lekël, Hormovë, dhe në drejtim të Labovës, patëm një varg zjarresh, por s’patëm dëme në banesa dhe njerëz. Sa i përket Finiqit, situata vijon të mbetet problematike. Flakët u larguan nga perimetri i zonës së monumentit të parkut natyror të Syrit të Kaltër, por situata problematike është situata në fshatrat Krongj dhe Pec, duke u afruar drejt zonës së Dropullit.
Është dashur ndërhyrja nga ajri, përmes dy avionëve që kanë mbërritur nga Greqia, dhe atij që kemi ne. Është dashur një bashkëpunim nga katër bashki, Gjirokastra, Saranda, Delvina dhe është kërkuar ndihmë nga Greqia. Kemi një dëm të konsiderueshëm, në apikulturë, kullota, toka bujqësore, dhe dëmi është i pallogaritshëm. Nuk kemi banesa të djegura, por ka shumë tokë bujqësore dhe kullota të djegura, si dhe koshere bletësh që u janë djegur, një dëm i madh në apikulturë. Zjarrëvëniet pretendohet se janë të qëllimshëm”.



