Kuvendi ka votuar në seancën e sotme parlamentare për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për raportin e Dick Marty-t, i cili implikon UÇK-në në krime kundër njerëzimit.
Ngritja e këtij komisioni u votua nga deputetët me 85 vota pro, 12 kundër dhe 4 abstenim, dhe do të jetë nën drejtimin e deputetit Ulsi Manja.
Anëtarët e këtij komisioni përfaqësues të maxhorancës do të jenë Ulsi Manja, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Ermonela Felaj.
Opozita parlamentare në këtë komision do të përfaqësohet nga: Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Enver Roshi. Pjesë e komisionit do jetë edhe deputetja Elena Xhina.
Ky komision ka për qëllim të hetojë raportin e Dick Marty-t i cili implikon UÇK-në në krime kundër njerëzimit. Mbi këto akuza janë dërguar në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale të Hagës krerët e UÇK-së.



