Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pas arrestimit të drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni si bashkëpunëtore e kreut të grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t, Ergys Agasi, thotë se ka rënë struktura e sigurisë së vendit.
Ai kërkon që Kuvendi duhet të hetojë të gjithë veprimtarinë e SHISH, për ruajtjen e konfidencialitetit.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, Mediu u shpreh se, është cenuar raporti me partnerët ndërkombëtar.
Në këtë drejtim shton se përgjegjësia është direkt e Kryeministrit të vendit dhe e Presidentit që e ka miratuar Vlora Hysenin në krye të SHISH.
Ergys Agasi e merrte pushtetin nga qeveria dhe institucioni shtetëror. Këta janë individë të zgjedhur nga Kryeministri Edi Rama dhe përgjegjësia është e tij. Ajo është larguar nga qeveria e Kosovës dhe nëse nuk ishte e vlefshme për Kosovën pse u bë e vlefshme për SHISH, madje duke u ngritur në detyrë. Qartësisht është krijuar përplasje mes dy shërbimeve.
Fakti që kemi një politikë të ndarë me politikën e Prishtinës, tregon preferenca personale, për të mos thënë qasje politike absurde. Përgjegjësia është e Kryeministrit të vendit dhe e Presidentit që e ka miratuar. Ka rënë struktura e sigurisë së vendit, kur struktura e sigurisë është e pamundur për të propozuar personazhe me integritet, përgjegjësia është e atyre që e propozuan, që i bënë vetingun.
Çfarë informacionesh janë marrë, si është bërë emërimi i saj dhe si është bërë dhënia e shtetësisë brenda dy muajsh. Kreu i Shërbimit Informativ dhe zëvendësi i tij propozohen nga Kryeministri dhe miratohen nga Presidenti. Padyshim është cenuar raporti me partnerët. Me partnerët e shërbimeve inteligjente të vendeve të NATO-s, jemi në problemin më të madh.
Siç thotë vetë drejtësia apo SPAK, ne kemi krijuar një pikëpyetje të madhe si vend anëtar i NATO-s në raport me sigurinë. Kam kërkuar nga Komisioni i Sigurisë që të shihet mënyra e përzgjedhjes së saj dhe vetingut.
Nëse ka qenë drejtuese e lartë e Shërbimit Informativ të Kosovës dhe është larguar me vendim të Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës, ti ke krijuar një problem të madh. Ne në situatën që jemi kemi krijuar një problem shumë të madh me SHBA.
Ti e ke vendosur shërbimin në interes politik shantazhuesh, siç tregoi me rastin e gazetares. Ato që ka sigurimi nuk bëhen diskutime pazari dhe është e papërshtatshme për atë detyrë. Kuvendi duhet të hetojë të gjithë veprimtarinë e SHISH, për ruajtjen e konfidencialitetit.



