
Një anije peshkimi kineze u përmbys në Oqeanin Indian dhe 39 anëtarët e ekuipazhit të saj rezultojnë të zhdukur, sipas mediave shtetërore në Pekin.
“Deri më tani asnjë nga personat e zhdukur nuk është gjetur”, tha transmetuesi shtetëror ÇTV, duke shtuar se presidenti kinez Xi Jinping kishte urdhëruar një operacion kërkim-shpëtimi.
Ekuipazhi i anijes përbëhet nga 17 marinarë kinezë, 17 indonezianë dhe pesë filipinas.
Anija është në pronësi të Penglai Jinglu Fishery Co, një kompani kineze e specializuar në sektorin e peshkimit. Ajo u përmbys rreth orës 03.00 të mëngjesit me orën e Pekinit.
Ekipet e ndihmës nga Australia dhe disa vende të tjera kanë mbërritur në vendin e mbytjes dhe Kina ka vendosur dy anije për të ndihmuar në operacionet e kërkimit.
Kina ka flotën më të madhe të peshkimit në det të thellë në botë dhe kishte rreth 564.000 anije në vitin 2022, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë.



